BBC i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të rishikojë marrëveshjet për sigurinë gjatë kësaj të marte, pasi një kameraman i rrjetit britanik u sulmua gjatë një mitingu të Donald Trumpit.
Kameramani i BBC-së, Ron Skeans u sulmua nga një mbështetës i Trumpit që lëshoi slogane kundër medies gjatë mitingut të presidentit amerikan në El Paso të Teksasit, mbrëmjen e vonë të së hënës.
Skeans shpëtoi i palënduar, ndërsa agresori që mbante në kokë një kapelë me mbishkrimin “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, u ndalua nga një bloger i “Frontline America” pro Trumpit, për t’u larguar më pas nga pjesa e medias.
Paul Danahar, kryeredaktor i zyrës së BBC-së për Amerikën, shkroi në “Twitter” se i kishte kërkuar sekretares për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders, “të rishikojë plotësisht marrëveshjet e sigurisë pas sulmit të natës së djeshme”.
“Qasja në hollin e medias ishte e pambikëqyrur, – thotë Danahar. – Askush nga organet ligjzbatuese nuk ndërhyri para, gjatë apo pas sulmit”.
Danahar hodhi poshtë një deklaratë të drejtuesve të fushatës “Trumpi për president”, që shprehën vlerësimin për “veprimin e menjëhershëm nga oficerët e sigurisë dhe ata ligjzbatues në ambientin e mitingut”.
Korrespondenti i BBC-së në Uashington, Gary O’Donoghue, i cili po mbulonte ngjarjen e El Pasosë, tha se kameramani i tij ishte shtyrë dhe goditur nga agresori i paidentifikuar “pasi presidenti nxiti vazhdimisht turmën mbi paragjykimet e supozuara të medias”.
Ai tha se agresori tentoi të thyente kamerën e BBC-së, ndërsa shprehu gëzimin që Ron ia doli paq.
Trump ndaloi përkohësisht fjalimin pas trazirave në turmën e mbledhur dhe, duke drejtuar gishtin nga holli i medias, i pyeti ata nëse ishin mirë dhe nëse gjithçka shkonte mirë.
Por, ai rinisi sërish sulmet e tij ndaj medies më vonë, duke iu referuar atyre që i quajti “medie totalisht të pandershme”. Trump e ka denoncuar shpeshherë median si “armiken e popullit” dhe ka dënuar raportimet kritike ndaj administratës së tij si “lajme të rreme”.
Top Channel