Bosi meksikan i drogës, Joaquin Guzman, i mbiquajtur edhe “El Chapo” u deklarua fajtor këtë të martë nga një juri e Nju Jorkut, për krime të kryera gjatë një çerekshekulli si kreu i një prej organizatave më të fuqishme të drogës në botë.
Ish-kreu 61-vjeçar i kartelit të Sinaloas, i famshëm për arratisjet e tij të bujshme nga burgjet meksikane, përballet me rrezikun për burgim të përjetshëm, pasi fajësohet për trafikimin e tonelatave të kokainës, heroinës, metamfetaminës dhe marijuanës në Shtetet e Bashkuara. Ai u gjet gjithashtu fajtor për pastrim parash dhe zotërim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Në gjyqin gati tremujor që shpalosi “telenovelën” e vërtetë të jetës së tij, ish-gruaja e Guzmanit, dikur mbretëreshë bukurie, dhe një sërë të dashurash të tij, sikurse edhe ish-ndihmës morën rolin e dëshmitarëve për të rrëfyer gjithçka ndodhte kur ishin nën diktatin e ish-lordit të drogës.
Në argumentet e tij përfundimtare, të muajit të kaluar, avokati i Guzmanit, Jeffrey Lichtman i kërkoi jurisë të mos e dënonte të pandehurin mbi bazën e dëshmive “plehra” të dëshmitarëve të qeverisë.
Lichtman pretendon se Guzmani është thjesht një “kokë turku” dhe se, përgjegjësi i vërtetë i operacioneve të trafikut të drogave ka qenë Ismail “El Mayo” Zambada”, bashkëthemelues i kartelit të Sinaloas.
“Mayo ka qenë narkotrafikanti më i fuqishëm për dekada të tëra në Meksikë. Ai nuk është arrestuar kurrë. Ai ka paguar qindra miliona dollarë për të qëndruar në liri”, tha Lichtman.
Qeveria, ndërkohë, apeloi ndaj jurisë të mos e lejonin Guzmanin të arratisej, duke pasur ende të freskëta para syve dy arratisjet spektakolare të tij në Meksikë, më e fundit në vitin 2015 përmes një tuneli nga dhoma e dusheve në qelinë e tij.
“Mos lejoni që t’ia mbathë përgjegjësisë. Bëjeni përgjegjës për krimet e tij. Shpalleni fajtor për të gjitha akuzat”, do të shprehej ndihmësprokuori i Shteteve të Bashkuara, Andrea Goldbarg, në argumentet e tij përfundimtare.
Gjatë seancës gjyqësore, qeveria prezantoi 56 dëshmitarë dhe një sasi të stërmadhe materialesh inkriminuese, përfshi telefonata të përgjuara mes Guzmanit dhe ndihmësve të tij, si dhe biseda të përgjuara nga informatorët për një periudhë thuajse 3-mujore.
Mbrojtja e tij ndërkohë thirri vetëm një dëshmitar, një agjent të FBI-së, duke u përpjekur të minonin besueshmërinë e një prej furnizuesve me kokainë të Guzmanit, i cili kishte dëshmuar kundër tij. Strategjia e mbrojtjes ishte fokusuar pikërisht në sulmin ndaj besueshmërisë së dëshmitarëve bashkëpunues me drejtësinë; si ish-sekretaret, pilotët, furnizuesit dhe shpërndarësit, trafikantët kryesorë drejt SHBA, një menaxher, një kontabilist, ish-shefin e komunikimit dhe ish-të dashurën.
Shumica e këtyre janë burgosur dhe shpresojnë se, përmes bashkëpunimit me prokurorët do t’iu reduktohet dënimi.
Top Channel