Policia e Shtetit po pret denoncimin e nënës që akuzoi inspektorin e Malësisë së Madhe, Berhan Bajrakurti për ngacmim seksual.

Ai u arrestua pas publikimit të videos ku shfaqej duke kryer veprime intime. Skandali çoi në Malësinë e Madhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Policia po kërkon denoncuesin i cili nuk gjendet. Kjo është pyetja: Kush është denoncuesi? Do ta sqarojmë shpejt këtë pyetje”, tha Lleshaj.

Berhan Bajrakurti, specialist i Policimit në Komunitet në Gruemirë, dyshohet për veprën penale “ngacmim seksual”. Nga hetimet doli se videoja është regjistruar në shtëpinë e tij. Telefoni me të cilin dyshohet se komunikonte me vajzën është në duart e hetuesve.

Ndërsa sektori për Krimet Kompjuterike po punon për identifikimin e personit që dërgoi videon në media. Shërbimi për Çështjet e Brëndshme dhe Ankesat (SHÇBA) që po merret me çështjen i bën thirrje denoncueses të paraqitet në polici, duke i siguruar mbrojtje dhe ruajtje anonimiteti.

Top Channel