Futbollisti Hakeem Al Araibi është i lirë tashmë dhe ka lënë Tailandën, ku ishte i arrestuar prej muajit nëntor, për t’u rikthyer në Melburn të Australisë, ku ka edhe statusin e refugjatit.
Al Araibi u arrestua në Tailandë, ku po kalonte muajin e mjaltit, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga shteti i tij i lindjes, Bahreini.
Futbollisti jetonte prej vitit 2014 në Australi dhe luante futboll në Superligën e këtij shteti, ndërsa kishte edhe statusin e refugjatit politik, pasi ishte në kërkim nga autoritetet e Bahreinit.
Ai u fotografua me këmbë të lidhura, teksa shkonte në një nga proceset gjyqësore, ndërsa menjëherë reaguan edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Për lirimin e Al Araibit u angazhuan shumë organizma drejtues të futbollit, përfshi edhe FIFA-n, por edhe diplomatë të vendeve të ndryshme.
Top Channel