Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ka marrë porosi të qartë në Uashington se pa pezullimin e tarifës doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.
“Unë kam kërkuar edhe në Uashington mundësinë e vazhdimit të dialogut pa heqjen e taksës, por më vjen keq, pasi përgjigja është që duhet të ndodhë pezullimi”, deklaroi presidenti i Kosovës.
Hashim Thaçi i bëri thirrje qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të koalicionit qeverisës, që të respektojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara që të pezullojë taksën doganore.
“Mendoj se kjo këshillë definitivisht nga institucionet e vendit duhet të respektohet, e ritheksoj jo për t’u hequr taksa, por për t’i dhënë mundësi përmes një pezullimi të përkohshëm, një procesi të një angazhimi të gjithanshëm ndërkombëtar”, shtoi Thaçi.
Sipas presidentit të Kosovës, është krijuar perceptimi se me vendosjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja, Kosova është bërë pengesë për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe është në dorën e qeverisë, që ta pezullojë këtë masë. Ai gjithashtu komentoi edhe idenë e kryeministrit, Ramush Haradinaj, për organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën.
“Nuk duhet të lejojmë që të kërkohet organizimi i një konference ndërkombëtare për Kosovën, sepse kjo është rikthim prapa dhe involvim i faktorit Rusi në këtë proces, gjë që për ne do të ishte shumë e disfavorshme”, tha Thaçi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Prishtinës zyrtare që të pezullojë taksën doganore, e cila është në fuqi që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Me idenë për pezullimin e tarifës në një afat prej 120 ditësh, ka dalë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Por kryeministri Ramush Haradinaj insiston se taksa doganore do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Top Channel