Kuvendi i Kosovës u mblodh të premten në një seancë të jashtëzakonshme, dedikuar rastit të të miturës nga Drenasi, të përdhunuar nga mësuesi i saj, por edhe nga polici që duhej ta mbronte atë. Seanca u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alternativa.
“Ministri i Punëve të Brendshme tha se e ka menduar dorëheqjen, ndaj unë i them të mos e mendojë, por ta bëjë fakt. S’ke nevojë ta mendosh se ka ndodh një rast jashtëzakonisht i rëndë. Ne ende po ashtu, nuk u njoftuam pse prokurori i rastit ka mbyllur hetimet kundrejt mësuesit”, tha Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.
“Drejtësia përplot me padrejtësi ka mbytur kurajën qytetare për të raportuar atë në institucione që janë të thirrura për ta mbrojtur atë”, tha Lirije Kajtazxi, deputete e LDK-së.
Më herët, kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se autoritetet duhet të jenë të pamëshirshëm për çdo veprim që cënon moralin e shoqërisë kosovare.
“Këto gjëra nuk do të tolerohen. T’i mbrojmë institucionet për shkak të njerëzve të krimbur, nuk po gjej fjalë për të shprehur. Do të jemi të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cënon moralin tonë”, tha Veseli.
Rasti i të miturës në Drenas ka ndezur një valë zemërimi në të gjithë Kosovën. Të premten me qindra qytetarë protestuan në Drenas, duke kërkuar drejtësi lidhur me rastin. Një ditë më parë u protestua për rastin edhe në Prishtinë, pranë Stacionit Qendër të Policisë së Kosovës.
Top Channel