Një ndër momentet më të bukura që shohim kur konkurrentët e “The Voice Kids” na prezantojnë me historitë e tyre është njohja me talentet e veçanta që ata kanë.
Shumë prej artistëve të vegjël krahas zërit të artë na tregojnë me shumë dashuri pasionet e tjera të tyre si kërcimi, piktura apo sportet.
I tillë është edhe rasti i Rumejsës, Rejdit dhe Ëmblës. Teksa kanë ardhur në “The Voice Kids” me dëshirën e madhe për tu bërë pjesë e spektaklit ata na kanë rrëfyer se janë të talentuar edhe në fusha të tjera.
Rumejsa është akrobatja e cila sonte u bë pjesë e skuadrës së Miriam Canit. Ajo merret prej vitesh me akrobaci dhe ushtrohet çdo ditë. Talentin e saj Rumejsa nuk ngurroi të na e tregonte edhe në skenën e Audicioneve të Fshehura ku me shumë shkathtësi u demonstroi trajnerëve ushtrime të vështira.
Rejdi është një tjetër konkurrent i cili me krenari na rrëfeu se është i vetmi në familjen e tij i cili merret me muzikë por jo vetëm. Zërin e tij e kemi dëgjuar edhe më parë në filmat e animuar për fëmijë pasi ai dublon një pjesë të mirë të tyre. Për Rejdin dublimi është shumë i rëndësishëm pasi jo vetëm argëtohet por edhe mëson shumë nga kjo eksperiencë.
Ëmbla është një aktore e lindur. Për të muzika dhe aktrimi ecin paralelisht prandaj ajo gjithmonë do të punojë fort që t’i mjeshtërojë të dyja. Siç tha edhe në intervistën e saj për “The Voice Kids” ajo ka marrë pjesë në disa shfaqje teatrale madje edhe në një serial televiziv.
Top Channel