Bashkimi Europian e bëri të qartë se agjenda e bisedimeve Prishtinë-Beograd përcaktohet nga vet palët. Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha për “Zërin e Amerikës” se ndërmjetësuesi i bisedimeve nuk ndërhyn në temat që sjellin palët në tryezë.

Të martën, mediet serbe e cituan atë të pohonte se çështja e ndërmarrjes së Trepçës, një kompleks minierash në Kosovë, duhet të përfshihet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë e tillë shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë, duke nisur nga vet kryeministri Ramush Haradinaj.

“Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment, populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false, që kanë qartazi për qëllim ndarjen e saj”, ishte komenti i tij.

“Është e paprecedentë që dikush të komentojë një vendim të tillë të Parlamentit të Kosovës me dy të tretat e votave. Pra është shembulli më domethënës, që Brukselit vërtet i ka humbur rruga në oborr. Pra, ata nuk dinë më përgjegjësinë e vet”, tha Haradinaj.

Në përgjigjen me shkrim, dhënë “Zërit të Amerikës”, Koçijançiç theksoi se BE-ja nuk i komenton çështjet që palët duan të diskutojnë.

“Ata i sjellin në tryezë çështjet, të cilat i konsiderojnë të hapura, e pastaj vendosin nëse duhet t’i diskutojnë të gjitha ato, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të gjitha temat e hapura”, u shpreh Koçijançiç.

Për Serbinë, çështja e Trepçës nuk është e zgjidhur ende, ndërsa për Prishtinën zyrtare ajo ka marrë fund në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi ligjin e Trepçës, që e shndërron atë në një ndërmarrje me shumicën e aksioneve shtetërore.

Menjëherë pas këtij vendimi, qeveria në Beograd pati anuluar – siç thotë, – “vendimin e Prishtinës dhe të gjitha veprimet juridike që e pasojnë atë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA