Dhjetë persona, mes të cilëve një foshnje, kanë humbur jetën prej flakëve që përfshinë një godinë në jugperëndim të Parisit, në një lagje të pasur të kryeqytetit francez.

Mbi 30 janë të lënduarit, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë. Tre zjarrfikës kanë marrë djegie të lehta gjithashtu. Bilanci i vdekjeve mund të rritet edhe më shumë, sepse operacionet e shpëtimit nuk kanë përfunduar ende në pjesën e sipërme të ndërtesës 8-katëshe.

Shkaku i zjarrit nuk është zbardhur ende, por mësohet se policia ndaloi një grua si të dyshuar. Prokurori i Parisit, Rémi Heitz nuk e përjashtoi mundësinë që të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

  Zjarri përfshin godinën 8-katëshe në Paris, 8 të vdekur e disa të plagosur

Zjarrfikësit thonë se flakët e nisura në orën 1 të natës kishin një egërsi të jashtëzakonshme dhe përhapeshin me shpejtësi. Disa prej banorëve ishin ngjitur në çatitë ngjitur, duke u bllokuar aty, e është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për t’i shpëtuar.

“Kur mbërritëm, u përballëm me një situatë apokaliptike. Njerëzit vareshin nga dritaret, duke na kërkuar ndihmë”, tha një zëdhënës i zjarrfikësve.

Disa godina të tjera në zonën e ndodhur jo shumë larg kullës “Eiffel” u evakuuan si masë paraprake, ndërsa zyrtarët e bashkisë u ngarkuan me detyrën t’iu gjenin njerëzve të prekur një strehim të përkohshëm.

Top Channel