Vitrina e librit/ Dashuritë e virgjëreshës Madalenë nga Ridvan Dibra

04/02/2019 12:54

“Jam vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, sapo i kam mbushur, dhe, siç e keni marrë vesh tashmë, quhem Madalenë. Nuk e di kush ma ka vënë emrin. Mami fajëson babin. Babi-mamin. Të dy fajësojnë gjyshin që s’jeton më. Mua më pëlqen emri im, edhe pse shoqet më thonë se duket i ndryshkur, si i shekullit të kaluar… Për një javë rresht, aq sa u dha në Teatër, unë i ndoqa të gjitha shfaqjet strukur në njërën prej lozhave të fundit. Me një ndjesi të përhershme ankthi e paniku se mos spektatorët aty poshtë dinin diçka për ‘rastin tim’ dhe vëmendja e tyre përqendrohej te unë. Porse frika ime dukej e kotë: spektatorët qenë të interesuar për historinë time dhe jo për praninë”.

Nis kështu romani më i fundit i shkrimtarit Ridvan Dibra “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Po cila është historia e kësaj vajze dhe përse autori zgjedh ta bëjë atë pjesë të krijmtarisë së tij artistike?

Subjekti mbështetet mbi një monodramë të autorit, rikonceptuar mirë në strukturë e përmbajtje, prej një ngjarjeje që i vjen atij prej së kaluarës. Në qendër të veprës është fati i një gruaje me emrin Madalenë, e ndërtuar në tri etapa të rëndësishme e vendimtare të jetës së saj: në moshat 15, 25 e 40 vjeçe, ku thelbësore mbetet periudha e parë e jetës së aj, adoleshenca. Pikërisht gjatë kësaj kohe, cështje problematike për Madalenën, bëhet humbja e virgjërisë. Dhe këtu nis tjetërsimi e absurdi i këtij karakteri: Përse kur atë nuk e shqetëson humbja e virgjërisë si fenomen, të tjera probleme psikike i dalin asaj? Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por problemi qëndron se në grupin e saj të shoqeve vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që shtohen duke ia dëmtuar deri në neveri ekzistencën. Në rrethana të tilla ajo vendos të kërkojë ndihmë. Po ku? Institucionet që mund t’i gjendeshin pranë e ta ndihmonin, si familja, shkolla, shoqëria janë në krizë të plotë e të denatyruara. Cfarë ndodh? A bie Madalena pre e këtij presioni absurd duke iu lëshuar shijeve që nuk kanë asnjë lidhje me natyrën e saj të brishtë? Krejt dhe pa dëshirën e saj? Dhe ndodhi, në rastin më të parë që iu krijua. Ajo që duhej të ishte përvoja e parë e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e saj, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Përmes episodesh e situatash sa absurde e groteske, aq edhe tragjikomike në një trajtim thuajse përherë ironik e parodik, në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i Madalenës së romanit? Apo jeta dhe fati i vajzës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Ridvan Dibra, fitues i disa cmimeve kombëtare, në gjurmët e veprave të tij më të mira, na sjell një roman me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi. Ndërtimi i rrëfimit në vetën e parë, përfshirja e vetë autorit si personazh në vepër, komunikimet e shpeshta e të drejtpërdrejta të heroinës me lexuesit e vet janë disa prej elementeve të tjerë që zgjojnë interesim e vëmendje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA