Me 61 vota pro, Kuvendi i Kosovës votoi në parim projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Për mbi 4 orë, deputetë nga pozita dhe opozita zhvilluan një debat me kritika e akuza të ndërsjella. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke prezantuar projektligjin, tha se ai rregullon atë se çka mund të negociohet dhe çka nuk mund të negociohet, në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Me këtë projektligj natyrisht se janë dhënë të gjithë parametrat e duhur që çështja e përfaqësimit të Kosovës në dialog të rregullohet në mënyrë te mirëfilltë”, tha Hoxhaj.

Projektligji u kundërshtua nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se ligji në fjalë i jep legjitimitet dhe mbështetje të plotë politike Presidentit Hashim Thaçi dhe legalizon planet e tij për siç tha ajo, të “copëtimit” të Kosovës.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se ky ligj nuk kufizon punën e Presidentit dhe siç u shpreh ai, “iniciativat” që ai prezanton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA