Pas tri javësh në grevë, shkolla në Kosovë rifillon të hënën. Kjo, pas një marrëveshjeje të arritur mes krerëve të shtetit dhe Sindikatës së Arsimit, detajet e së cilës nuk janë bërë ende të ditura.
“Të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat dhe, ashtu siç kemi premtuar me kryeministrin e Kosovës, do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre, po aq sa për të gjithë sektorët e tjerë, siç janë policia, ushtria, shëndetësia, artistët, administrata publike, kshilltarët e komunave, pensionistët dhe të gjithë punëtorët të tjerë. Në Kuvendin e Kosovës do të votojmë ligjin për pagat, i cili do të mundësojë rritjen e tyre për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik”, tha Veseli.
Vendimi për ndërprerjen e grevës erdhi pas një takimi, që u zhvillua në kabinetin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.
“Qeveria e vendit është e interesuar t’iu japë përgjigje të gjitha kategorive që paguhen prej buxhetit, prej parave të popullit. E kemi edhe ndonjë sfidë aty-këtu, por unë iu siguroj se jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë”, tha Haradinaj.
Prej tri javësh, arsimtarët në Kosovë kanë bojkotuar mësimin me kërkesën për rritje pagash. Ndërkohë që edhe sektorë të tjerë të vendit janë angazhuar në greva e protesta, përfshirë këtu shëndetësinë, por edhe sektorin e shërbimit civil.
Top Channel