Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, rikonfirmoi kërkesën e përsëritur të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar tarifën doganore, që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Pas deklaratës së javës së kaluar të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Haradinaj bisedoi në telefon të mërkurën me këshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, John Bolton, kurse të enjten u takua me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Ky i fundit u takua edhe me liderë të tjerë të institucioneve të Kosovës: presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Pas takimit, asnjëri prej tyre nuk u deklarua për media.

Haradinaj foli për kërkesën e SHBA-së gjatë homazheve që i bëri te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë. Por, Haradinaj, tha se “është i pakuptimtë kushtëzimi i dialogut me heqjen e taksës”.

“Nëse ka vullnet të mirë për të ndihmuar procesin e dialogut, nuk është e vetmja mënyrë heqja e taksës. Nëse dëshirojmë të ndihmojmë dialogun, atëherë të kërkohet vazhdimi i dialogut pa kushte, e në tavolinë të bisedohet për të gjitha, edhe për taksën, edhe për çkado tjetër”, tha Haradinaj.

Ditët e fundit, ka pasur mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e pezullimit ose jo të taksës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Këto mospajtime vlerësohet se janë duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e koalicionit qeverisës, duke marrë parasysh faktin që Partia Demokratike e Kosovës dhe udhëheqësi i saj, Kadri Veseli, do të donin pezullimin e tarifës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA