Ramush Haradinaj u tregua më i drejtpërdrejtë këtë radhë, në komentet e tij mbi marrëveshjen e mundshme me Serbinë dhe çështjen e shumëdiskutuar të kufijve.
Kryeministri kosovar u shpreh se, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht nga Kosova “të japë tokë, në këmbim të njohjes së Pavarësisë së saj nga Serbia”. Këtë radhë, ai e artikuloi më qartë sesa herët e tjera, çfarë pretendohet saktësisht sipas tij.
“Kanë kërkuar të jepet tokë, – tha Haradinaj. – Kanë kërkuar veriun ku janë minierat, ku është pasuria. Sot, nuk kryejnë shumë punë, por ndoshta në të ardhmen janë shumë jetike për Kosovën”.
Ose është thënë se “nëse nuk jepni tokë, jepni një Republikë brenda Republikës”, ka qenë komenti i tij.
Shefi i ekzekutivit kosovar iu kthye edhe njëherë çështjes së taksës 100% mbi mallrat serbe, e kritikoi udhëheqësit politikë, përfshirë ata që janë në koalicionin qeverisës, për shkak të deklaratave se pezullimi i tarifës duhet të bëhet për të ruajtur miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Ai kujtoi ditët kur, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-ve, ata synonin shfuqizimin e ligjit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës.
Ai përmendi edhe idenë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për pezullimin e tarifës për 120 ditë, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e dialogut me Serbinë, duke thënë se, po ndodhi ky pezullim, nuk do të ketë më nevojë për taksë, sepse mallrat serbe do të hyjnë në Kosovë e do të mbeten atje për 10 vite.
Top Channel