Në një intervistë për European Interest, eurodeputeti Igor Stoltes deklaroi se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku qytetarëve u kërkohen viza për të udhëtuar në vendet Shengen, edhe pse Kosova i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Komisioni Europian.
“Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku ka ende viza. Kosova i ka përmbushur dy kushtet kryesore të përcaktuara nga Komisioni Europian, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe demarkacioni me kufirin e Malit të Zi. Kjo e dyta ishte një çështje shumë delikate. Por prapë, nuk ndodhi asgjë. Tani njerëzit në Kosovë ndihen të zhgënjyer, besojnë se vendi i tyre nuk e meriton këtë. Kjo është sa për t’ju dhënë një shembull se sa problematike mund të jetë situata kur jep fjalën për diçka dhe nuk e mban. Ne në Parlamentin Europian dhe në Komision kemi një qëndrim pozitiv, por vendimi i fundit i takon Këshillit. Po flasim vetëm për liberalizim të vizave, gjë që do të ndihmojë jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin, që të shmanget izolimi”, tha Stoltes.
Për sa i përket vendimit të Kosovës për të krijuar ushtrinë, Stoltes u përgjigj: “Ka shumë çështje të vështira në këtë rast. Krijimi i ushtrisë ka hapur shumë kapituj, por ky është një test për BE-në, për të parë se sa e kupton Ballkanin. Sepse Bosnja Herzegovina ka qenë problem që nga krijimi, me një regjim specifik e me nacionalizmin gjithnjë e në rritje. Në Bosnje janë edhe komunitetet kombëtare, por rreth tyre ekziston edhe shoqëria civile. Të njohësh një vend si shoqëri civile është e vetmja zgjidhje për të ardhmen”, thotë Stolten.
Top Channel