Pasi u nisi ambasadorëve të vendeve të QUINT-it një letër, ku kishte vendosur disa kushte, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se taksa 100 për qind mbi mallrat serbe dhe ato boshnjake është vendosur në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
“Kushdo që ka problem, si i brendshëm apo i jashtëm, del kundër së drejtës sonë, Kushtetutës sonë dhe gjithçka kemi. Ne nuk kemi mirëkuptim për dikë që ka probleme me këto kritere që kemi nxjerrë aty”, tha Haradinaj.
Ata që kanë një problem me taksën – thotë më tej Haradinaj, – janë kundër Kushtetutës së vendit, duke u shprehur edhe njëherë i palëkundur në këtë pikë. Madje, Haradinaj thotë se, edhe në rast zgjedhjesh të parakohshme, taksa do të mbetet në fuqi deri në verë.
“Sa i përket prishjes së koalicionit dhe vajtjes në zgjedhje të mundshme, taksa do të mbetet deri në qershor në çfarëdolloj rrethane”, tha Haradinaj.
Institucionet e Kosovës po përballen me kërkesa të shtuara nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të pezullojnë tarifën doganore, në mënyrë që procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të raporteve reciproke.
Por, në një letër drejtuar ambasadorëve të QUINT-it, ai ka kërkuar organizimin e një konference ndërkombëtare, që do të çonte në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, si dhe garanci se në këtë konferencë nuk do të diskutohet për ndryshim kufijsh.
Vetëm me plotësimin e këtyre kushteve, – thotë Haradinaj, – taksa do të hiqet.
Top Channel