Ideja e Kadri Veselit për pezullimin e përkohshëm të taksës mbi produktet serbe, për një periudhë 120-ditore, së cilës Ramush Haradinaj nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, por e bëri të qartë se nuk lëkundet nga pozicioni i tij mbi tarifën e shumëdiskutuar, po shihet si shenja e parë publike e përplasjes së qëndrimeve në radhët e koalicionit qeveritar në Kosovë.
Përmes vendosjes së kësaj takse, Veseli dhe Haradinaj kërkuan të tregojnë se Beogradit po i jepet një mësim i mirë për pengesat që i vendos Kosovës, megjithatë, duke shpërfillur kërkesën e kreut të PDK-së, shefi i ekzekutivit e vulosi qëndrimin zyrtar të qeverisë me letrën dërguar ambasadorëve të “QUINT”-it dhe përfaqësueve të BE-së në Prishtinë.
Në letër vendoseshin kushte për heqjen e taksës. Nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kërkohej mbështetje për një konferencë ndërkombëtare, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa pretendoheshin edhe garanci ndërkombëtare se nuk do të diskutohen kufijtë ekzistues.
Haradinaj u pyet nga gazetarët nëse qëndrimi i tij dhe i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, do të çojnë në rënien e qeverisë. Por, taksa – sipas tij, – do të mbetej për çdo rast në fuqi.
“Sa i përket prishjes së koalicionit dhe vajtjes në zgjedhje të mundshme, atëherë tarifa doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina do të mbetet deri në muajin qershor. Kjo pasi, nëse shpallen zgjedhjet, nevojiten 45 ditë deri në mbajtjen e tyre, pastaj janë edhe 30 ditë deri te konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pastaj krijimi i Qeverisë. Kështu që në verë mund të hyjmë me taksë, pra në qershor”, tha Haradinaj.
Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca e cilësoi kërkesën për heqjen e taksës si shantazh të kryeparlamentarit ndaj Haradinajt, e tha se vendi duhet të shkojë urgjentisht në zgjedhje.
Top Channel