Kosova ka tani edhe zyrtarisht një rekord botëror “Guinness” për lulen “origami” më të madhe në botë, punuar nga një e re nga Skënderaj.

Arbnora Fejza-Idrizi, me këtë lule me diametër 8.7 metra, theu rekordin e mëparshëm “Guinness” që mbahej nga Franca, për lulen prej letre me diametër 5 metra. Ajo ka marrë tani edhe certifikatën zyrtare të librit të rekordeve “Guinness”, që e ka prezantuar para bashkëqytetarëve të saj.

“Meqenëse ky art është i zhvilluar vetëm në Japoni, e në Kosovë nuk njihet, atëherë unë pata fatin që ta prezantoj punën time dhjetëvjeçare në librin e rekordeve, ku njëkohësisht u zgjodha fituese. Rruga drejt suksesit, pa dyshim që ka sfida dhe vështirësi, mirëpo dëshira dhe ëndrra ime ishte edhe më e madhe sesa të gjitha vështirësitë që kam hasur deri më tani”, tha Fejza-Idrizi.

Vajza nga Skënderaj u jep një mesazh të rinjve, të punojnë për ëndrrat e tyre!

Arbnora ka përdorur letër kuzhine me përmasa 13×13 metra për lulen. Pasi e palosi 23 herë këtë letër, ajo formoi lulen “origami” më të madhe në botë. Arbnora nuk ndalet këtu, por po përgatitet për një tjetër rekord. Ajo ka ndër mend të ndërtojë vazon më të madhe, të cilën do ta dekorojë me flamujt e shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA