Një ortek bore në Brezovicë i ka marrë jetën Arian Dacit, djalit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe kreut aktual të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, sipas së cilës kanë qenë dy personat e përfshirë nga orteku, por ndërsa Arian Daci, zëvendësministër i Diaspores në Qeverinë e Kosovës, ka humbur jetën, personi tjetër, Ardian Bakalli është në gjendje të mirë, jashtë rrezikut.

Arian Grazhda, mik i viktimës dhe dëshmitar i ngjarjes, tregon sesi brenda 40 minutave kanë arritur që ta nxjerrin nga orteku mikun e tij, por fatkeqësisht të pajetë.

“Kanë qenë jashtë pistës. Ata janë skiatorë të mirë, por orteku s’të pyet. Njëri prej shokëve e ka pasur ‘airbeg’-un, iu hap dhe shpëtoi, kurse Ariani mbeti i bllokuar. Ne jemi munduar shumë dhe për rreth 40-45 minuta i kemi nxjerrë. Ishim shumë shokë, jemi organizuar rreth 50 vetë për ta kërkuar, por kur e gjetëm e kishim humbur shokun… Atë (personi tjetër) pasi e kemi gjetur, është çuar dhe nuk u fokusuam shumë tek ai, por po kërkonim Arianin, s’po e gjenim. Ai është mirë, s’ka asgjë, por Ariani na la”, tha Arian Grazhda, dëshmitar.

Drejtori i Agjencisë së Mjedisit, Ilir Morina thotë se është marrë vendim që të mbyllet qendra e skijimit në Brezovicë për dy ditë, në mënyrë që të vazhdojnë hetimet, por edhe për shkaqe sigurie.

“Agjencia e Mjedisit ka paralajmëruar mbrëmë që gjendja është shumë e vështirë, për shkak të reshjeve shumë të mëdha brenda dy-tri ditëve. Nuk ka qenë e mundur të pastrohen as rrugët, as pista, pra e gjithë qendra. Përkundër një angazhimi shumë të madh, ata janë paralajmëruar. Dashamirësit e sporteve ekstreme sigurisht që i dinë rregullat, por shpesh dalin jashtë tyre. Sot kanë shfrytëzuar pjesën jashtë pistës dhe kanë shkaktuar dy orteqe, njëri prej të cilëve rezultoi fatal”, tha Ilir Morina.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e Arian Dacit, kanë mbërritur edhe ngushëllime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe drejtues të partive politike, mes të cilëve edhe kryeministri Haradinaj. Brezovica është një nga destinacionet më të preferuara të shumë vizitorëve nga Kosova, por edhe nga Shqipëria e më tej, në këto ditë dimri, për shkak të pistave të saj të skiimit dhe borës që nuk mungon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA