Mbështetësit e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë janë në anën e duhur të historisë, thotë ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në një intervistë për AFP, në kohën kur marrëveshja ka hyrë në fazat finale të saj.
“Unë ndihem shumë krenar, e ndjej se jam përfundimisht në anën e duhur të historisë dhe mendoj se pas disa vitesh, do të shohim se me politikat e fqinjësisë së mirë, të gjithë do ta kuptojnë që kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, u shpreh Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Nëse marrëveshja miratohet, atëherë Maqedonia do të pranohet shpejt në NATO dhe më pas sytë do të kthehen nga Brukseli, që vitin e shkuar tha se mund të hapen negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë në qershor 2019.
“Ne do të bëjmë çfarë mundemi që të gjithë vendet anëtare të jenë dakord në qershor për Maqedoninë”, tha Dimitrov.
Dimitrov paralajmëron edhe se BE nuk duhet të dështojë në realizimin e premtimit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë.
Duke pranuar se Maqedonia duhet të kryejë reforma serioze para se të jetë e gatshme për t’u anëtarësuar në bllok, Dimitrov shton: Ajo që duam ne është të fillojmë këtë udhëtim.
Top Channel