Nebi Hyskaj është larguar nga detyra 10 vite më parë, edhe pse është një efektiv policie që ka derdhur gjak në krye të detyrës.

“Në vitin 2008 më çojnë në kurs në Durrës, kurs 3-mujor. Dy provimet e fundit nuk m’i dhanë, nuk më tregoi njeri sa pikë mora, qysh, tek. U ndieva i ofenduar. Më hoqën nga puna në kundërshtim me ligjin”, thotë Nebi Hyskaj, ish-punonjës policie.

Ai është vlerësuar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” për trimërinë e shfaqur në ngjarjen e Visokës. Megjithatë, sot Nebiu nuk ka nevojë për dekorata dhe vlerësime artificale. Ish-efektivi i policisë kërkon rikthimin në detyrë.

“Kërkoj 6 muaj punë se s’kam plotësuar statusin e policisë, statusi është 15 vite. Unë dua edhe 6 muaj të marr statusin e policisë, edhe pa të drejtë rroge, vetëm të marr pensionin”, tha Nebi Hyskaj.

Gjendja është mjaft e vështirë edhe në familjet e viktimave, që sot janë lënë në mëshirë të fatit.

“Ministria e Rendit më ka ofruar që çuni të vishej polic, por unë nuk e doja. Një vend pune për djalin, dale ku jetojnë familjet e policëve të vrarë, ku jetojnë, ku punojnë, në ç’gjendje ndodhen? Ne kërkojmë një vend pune, nuk e gjejmë dot këtu në bazë”, thotë Hatixhe Bregasi, bashkëshortja e Harshi Bregasit.

Zonja Hatixhe ka kaluar një tjetër tragjedi të rëndë në familje. Djali i saj 38-vjeçar humbi jetën në aksident, e ceremonia mortore u zhvillua pikërisht në të njëjtën ditë me atë të babait që u vra në detyrë.

“Djali i madh e përjetoi shumë keq humbjen e të atit. Nuk e gjej dot veten këtu, thoshte, u prek jashtë mase, iku. Kam përjetuar dy humbje dhe kam humbur dy njerëzit më të shtrenjtë të familjes”, thotë Hatixhe Bregasi.

Ajo kujton se Arshiu punoi deri në fund me pasion në polici, por sakrifica e tij si dëshmor nuk u shpërblye asnjëherë.

“Nga viti ’98 nuk kemi marrë dëmshpërblim. Nga 45 milionë, a sa na takojnë, kemi marrë 300 mijë lekë të reja. U bë një VKM që në çdo 5 vite të këtyre të merreshin nga 3 në 5 rroga, nuk i kemi marrë 10 vitet e fundit”, tha më tej Hatixhe Bregasi.

Arta dhe vajza e saj Fjorida kanë pasur një jetë të vështirë, në mungesë të kryefamiljarit, i cili humbi jetën mjaft i ri në masakrën e Visokës.

“Ka qenë shumë e vështirë, se isha vetëm me mamin. Kur isha e vogël i thoja do të doja të kisha një vëlla, se përfytyroja që do të zëvendësonte babin, do të ndihesha e sigurtë. Thoja sikur të më kishte lënë një vëlla”, tha Fjorida Pashaj, vajza e Veledin Pashajt.

Vajza, sot studente, ishte vetëm 1 vjeç e gjysmë kur babai ra në krye të detyrës.

“E vetmja gjë që mbaj mend është se babi ka përdorur cigaren. Kujtoj që pas vdekjes së babit, shkoja ndizja cigare ku e ndizte ai, të njëtën gjë bëra te gjyshi”, tha Fjorida Pashaj.

“Megjithëse kanë kaluar vitet, e kam parasysh ngjarjen dhe nuk mund ta harroj dot se ishte e dhimbshme. Vajza u rrit me frymën që duhet ecur përpara, duhet ta mbajmë gjallë kujtimin e babit, se është një dëshmor”, tha Arta Pashaj, bashkëshortja e Valedin Pashajt.

Sot, kjo familje dëshmori nuk ka përfituar dëmshpërblimin që i takon. Madje, nënë e bijë nuk kanë asnjë banesë ku të jetojnë.

“Përveç një pensioni, asgjë tjetër. Bashkëshorti ka rënë në detyrë, me medalje. Si të gjithë dëshmorët që janë trajtuar pas vitit 1999, kërkojmë të përfitojmë të gjitha ato që kanë përfituar shoqet tona”, tha Arta Pashaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA