Pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj theksoi se tarifa e shumëdiskutuar mbetet në fuqi e jo vetëm kaq, por kjo situatë mund të vazhdojë sipas tij për një periudhë kohe shumë më të gjatë nga sa ishte menduar.
“Nuk ka më marrëdhënie kur vetëm Kosova e hap derën; ka ndryshuar gjendja shume dhe nuk jemi ende aty, taksa është në fuqi; taksa pezullohet apo anulohet vetëm me vendim të qeverisë”, tha Haradinaj.
Takimi i Haradinajt dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me Kosnet ishte pritur me padurim nga opinioni publik për të qartësuar, nëse qeveria e Kosovës do t’i qëndrojë në vazhdimësi vendimit të saj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe, pavarësisht presioneve ndërkombëtar.
Por kryeministri kosovar këmbëngul se heqja e taksës pa njohjen e Kosovës, do të ishte një gabim, duke shtuar ndërkohë se do te ishte i lumtur ta hidhte këtë hap nëse Serbia reflekton, duke qenë se ky është dhe sugjerim i aleates së Kosovës, SHBA-së.
Veseli sakaq përmes një deklarate për shtyp u përpoq të tregonte se Kosova është e vendosur ta ruajë përjetësisht miqësinë dhe partneritetin strategjik me Amerikën dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë.
Top Channel