Për drekë te Bon Jovi. Këngëtari ofron ushqim falas për punonjësit pa…

22/01/2019 13:28

Legjenda e rokut, Jon Bon Jovi njihet edhe si humanist i madh dhe provën më të fundit e dha me vendimin për t’i shpërndarë ushqime falas punonjësve amerikanë të sektorit publik në Nju Xhersi.

Nisma e tij vjen pas mbylljes së pjesshme të qeverisë në vazhdën e ngërçit politik të krijuar në vend. Refuzimi i demokratëve për të financuar murin e propozuar nga Donald Trump solli pezullimin më të gjatë të punës së administratës në historinë e Shteteve të Bashkuara, një situatë kjo që ka prekur 800 000 vetë.

Në restorantin e Bon Jovit, një pjesë e tyre mund të hanë pa para’, e vetmja gjë që duhet të bëjnë është që të paraqesin prova se janë punonjës federalë.

Nisma është rezultat i një partneriteti me guvernatorin e Nju Xhersit, Phil Murphy, dhe bashkëshorten e tij, Tammy.

“Kjo iniciativë nuk ka asnjë sfond politik, nuk është ky synimi. Qëllimi i këtij eventi është t’i shtrijmë dorën miqve që kanë nevojë në këtë moment”, tha Tammy.

Ndërsa Bon Jovi u shpreh: “Që prej krijimit të “Soul Kitchen”, kemi dashur të sigurohemi që ky të jetë një vend për të gjithë ata që mund të kenë vështirësi me sigurimin e ushqimit. Dhe tani do të jetë një vend mbështetjeje për punonjësit federalë, një pjesë e të cilëve janë miqtë dhe fqinjët tanë”.

Restoranti “JBJ Soul Kitchen” u hap në vitin 2011. Ai nuk ka çmime në menu dhe klientëve u jepet mundësia të bëjnë donacione që shkojnë minimumi në 10 dollarë, ose të punojnë në këmbim të ushqimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA