“Nëse do të më thërrasë Specialja, patjetër do t’i përgjigjem”. Kështu deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur sesi do të përgjigjej ndaj një ftese të mundshme të Gjykatës Speciale.
“Në çdo moment që vjen një ftesë e tillë, edhe në adresën time, me përgjegjësinë më të madhe morale, kombëtare, kushtetuese, ligjore, një kërkese të tillë do t’i përgjigjem me transparencën e plotë. Ftoj gjithashtu të gjithë ata që kërkohen të merren në pyetje, t’iu përgjigjen ftesave”, tha Thaçi.
Gjykata Speciale me seli në Hagë ka nisur marrjen në pyetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lidhje me krime të supozuara lufte në Kosovë.
Presidenti Thaçi falënderoi ndërkohë të gjithë komandantët që u janë përgjigjur pozitivisht ftesave të Gjykatës Speciale, e tha se në këtë mënyrë do të zbardhet lufta e drejtë e UÇK-së.
Deklaratat, Thaçi i bëri pas një takimi me dy kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Thaçi tha se u ka dorëzuar atyre dokumentacionin lidhur me procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë.
Duke iu kthyer edhe njëherë tezës së tij për korrigjim kufijsh, Thaçi tha se, në kuadër të marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) do të bëhen pjesë e Kosovës.
“Edhe Gazivoda (Ujmani), edhe veriu i Mitrovicës, edhe Trepça do të jenë pjesë e Republikës së Kosovës, e përfundimisht duhet të ndalen të gjitha thashethemet”, tha Thaçi.
Top Channel