“Ministria e Mbrojtjes” është mbishkrimi që zëvendësoi emrin e ish-Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, një veprim me të cilin nis edhe zyrtarisht procesi i zbatimit të ligjeve për transforimin e FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake.
Ceremonia e fillimit të këtij transformimi u organizua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, ku morën pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj; ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha; si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.
“Që nga sot do të ndryshojë emërtimi i ministrisë tonë dhe do të jetë Ministria e Mbrojtjes, me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuuan që ministria jonë të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në ushtri të Kosovës. Zyrtarisht që nga sot, është ditë e parë kur fillon procesi i tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës”, tha ministri Berisha.
Ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë miratuar në Kuvend më 14 dhjetor. Kësaj force, thuhet se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vitesh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota. FSK-ja numëron aktualisht 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër, pas ndërrimit të mandatit do të dyfishohet.
Top Channel