Renditja e përgjithshme në kategorinë e motorëve pësoi sërish ndryshime. Tani, në krye të saj është Toby Price, edhe pse e mbylli etapën e tetë në vendin e tretë.
Australiani përfitoi mjaft mirë nga problemet e Van Beveren, e sidomos të Ricky Brabec, me këtë të fundit që u tërhoq për shkak të dëmtimit të motorit të Hondës së tij.
Gjithsesi, kjo nuk ia zbeh paraqitjen e mirë Toby Price, që e mbylli etapën e tetë me një kohë vetëm 1 minutë e 15 sekonda më të lartë sesa ajo e fituesit Mattias Walkner, ndërkohë që në vendin e dytë u rendit Pablo Quintanilla.
Në kategorinë e makinave, Sebastian Loeb e mori veten nga ajo që i ndodhi një ditë më parë, duke fituar etapën e 8 të “Rally Dakar”, e treta për të këtë sezon.
Francezi la pas tij në fundin e kësaj etape Nasser Al Attiyah, në vendin e dytë me 7 minuta e 27 sekonda më shumë, ndërsa në vendin e tretë u rendit Przygonsky.
Në renditjen e përgjithshme, Al Attiyah vazhdon të jetë i sigurtë në krye, i shkëputur me 46 minuta e 29 sekonda nga Nani Roma, ndërsa i treti renditet Sebastian Loeb.
Top Channel