“Rally Dakar” dhuron të tjera emocione. Etapa e 7 e këtij kompeticioni, që nisi dhe u mbyll në San Juan de Marcona, përfundoi me fitoren e Stephane Peterhansel, që njihet ndryshe si “Mister Dakari”.
Piloti francez i Minit e mbylli këtë etapë me kohën 4 orë e 1 minutë, duke lënë pas Nani Romën në vendin e dytë, me 4 minuta e 33 sekonda, si dhe Carlos Sainz në të tretin.
Sebastian Loeb, fituesi i etapave 5 dhe 6, përjetoi një ditë makthi për shkak të një problemi elektrik në makinën e tij, që e bllokoi duke bërë që ai të humbasë 40 minuta. Nëntë herë kampioni i botës në “World Rally Championship” u përpoq që të rifitojë kohën e humbur, por e mbylli etapën në vendin e 11, me 28 minuta e 27 sekonda.
Sa i përket renditjes së përgjithshme, ajo vazhdon të kryesohet nga Nasser Al Attiyah, që doli i katërti në etapën e 7. Në vendin e dytë është ngjitur Stephane Peterhansel, i ndjekur nga Nani Roma, ndërsa Loeb ka zbritur në vendin e 4-t, me mbi 54 minuta më shumë se Al Attiyah.
Në kategorinë e motorëve, fitorja e etapës së 7 i takoi britanikut Sam Sunderland, që i përshkoi 323 km e saj me kohën 3 orë, 51 sekonda e 41 të qindtat, duke harruar në njëfarë mënyre paraqitjen jo të mirë të tij në etapën e një dite më parë.
Pas tij, në vendin e dytë u rendit kiliani Florimo, i ndjekur nga amerikani Ricky Brabec. Për Quintanillan, që deri në fund të etapës së 6 ishte në krye të renditjes së përgjithshme, kjo ditë ishte krejtësisht për t’u harruar.
Piloti kilian kreu disa gabime, duke e mbyllur etapën në vendin e 14, me 21 minuta më shumë se Sunderland. Pas etapës së 7, ai që kryeson “Rally Dakar” për motorë është Ricky Brabec, i ndjekur në vendin e dytë nga holandezi Van Beveren, e Toby Price në vendin e tretë.
Top Channel