17 vjet me parë, George W.Bush përdori termin “bosht i së keqes” për të ngërthyer brenda një shprehjeje të vetme tre vende: Iranin, Irakun dhe Korenë e Veriut, të armatosur siç tha ai asokohe me qëllimin të trazojnë paqen botërore.

“Duke kërkuar të kenë në duar armë të shkatërrimit në masë, këto regjime paraqesin një rrezik të madh dhe gjithmonë në rritje. Ato mund t`ua sigurojnë të tilla armë terroristëve, e në këtë mënyrë, t`i japin praktikisht në dorë mjetet që i përshtaten urrejtjes së tyre. Mund të sulmojnë aleatët tanë apo të përpiqen të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara. Në secilin prej rasteve, çmimi i indiferencës do të ishte katastrofik”, ka thënë George W.Bush.

Këto komente të ish presidentit amerikan, nuk u morën seriozisht nga të gjithë. Liberalët e vunë në lojë si një krahasim qesharak me fuqitë e boshtit në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ngurruan ta përshkruajnë gjetjen e tij si përpjekjen e një “kauboji” luftarak për të justifikuar ndërhyrjen e Irakut.

Por dy prej këtyre vendeve, vazhdojnë të dominojnë sot eventet globale. E ndërsa situata me Korenë e Veriut u arriti të vihej nën fre, të paktën për momentin,  me samitin historik të qershorit 2018, kur Donald Trump shtrëngoi duart me Kim Jong Un, duke u bërë kështu i pari president amerikan në detyrë që takonte një lider të vendit të izoluar komunist, ajo e Iranit është krejt tjetër histori.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur dikur një rol aktiv në politikën e brendshme iraniane; ato mbështetën sa hapur, aq edhe pas kuintave ndryshimin e regjimit në vend. Grushti i shtetit i vitit 1953, që rrëzoi qeverinë e Mohamad Mosadekut 19 gushtin e vitit 1953, ishte praktikisht një orkestrim i agjensive britanike dhe amerikane të inteligjencës, e këtë, në 2013-tën qeveria amerikane e pranoi hapur në vazhdën e inciativave të saj të politikes së jashtme. Në Iran u rikthye Shahu i fundit, Mohamad Reza Pahlavi; për të sunduar sërish si monark e për ta ruajtur pushtetin, përkrahjen e Amerikës ai e pati të domosdoshme.

Por me këto veprime, Washingtoni fitoi urrejtjen e klasës tejet influente klerike të vendit, pikërisht ajo që 2 dekada e gjysmë më vonë, do të ndihmonte në përmbysjen e monarkisë gjatë revolucionit islamik. Pengmarrja e 63 personave në ambasadën amerikane në Teheran nëntorin e 1979-tës nga studentë vendas që kërkonin me forcë nxjerrjen e Shahut në gjykatë, do të sillte fundin e epokës së marrëdhënieve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me vendin e kthyer tashmë në kundërshtar të egër, si dhe fillimin e sanksioneve gjunjëzuese për ekonominë e tij.

Relatat e republikës islamike me Shtetet e Bashkuara janë sërish sot në pikën e tyre më të ulët. Trumpi vendosi majin e këtij viti tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Për të, shqetësimi i një ujdie që legjitimon dhe normalizon qeverinë klerike iraniane, programin e raketave dhe mbështetjen e grupeve terroriste, ishte po aq i madh sesa ai I armëve atomike.

 “Unë e kam mëse të qartë se nuk e parandalojmë dot prodhimin e një arme bërthamore iraniane me strukturën e kalbur e të rrënuar të kësaj marrëveshjeje. Pakti i Iranit, është i gjymtuar në vetë thelbin e tij, dhe çoroditës për mua si qytetar”, shprehet Trump .

Donald Trumpi nuk e kishte shprehur kaq fort më parë kundërshtinë e tij ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin. As për votuesit, ajo nuk kishte qene ndonjë çështje me peshë të madhe. Presidenti republikan është kujdesur shumë të tregojë se është njeri që e mban fjalën, megjithatë marrëveshja me republikën islamike nuk ka qenë kurrë pjesë e axhendës së vet të prioriteteve dhe nuk e ka motivuar asnjëherë bazën e tij aq sa emigracioni, tregtia dhe ekonomia. Përpos kësaj, sondazhet e opinionit tregonin qartë se shumica e amerikanëve, e shihnin paktin pozitivisht.  Atëherë, përse ky ndryshim?  Përse të mos ruhej status quo-ja?  Tre janë arsyet për analistin Anthony Zucker: dëshira jo dhe aq e fshehtë e Trumpit për të përmbysur trashëgiminë e Obamës, Izraeli dhe fytyrat e reja që rrethojnë presidentin e Shteteve të Bashkuara.

“Që kur bëri betimin, Trumpi ka vënë në shënjestër praktikisht secilën prej arritjeve kryesore të paraardhësit të vet: e tërhoqi Amerikën nga negociatat e tregtisë së Partneritetit të Trans-Paqësorit, e tërhoqi nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, rrëzoi disa prej barrierave mbrojtëse të Obamës për emigrantët pa dokumente. Ai, së bashku me republikanët në Kongres shënuan fitore në përpjekjet për shfuqizimin e Aktit të Kujdesit Shëndetësor; Trumpi po kështu rivendosi sanksionet dhe kufizimet e udhëtimit me Kubën e rrëzoi një sërë urdhrash ekzekutivë për çështje që shkonin deri tek standardet e standardet e ekonomisë së karburantit”,  tha Anthony Zurcher.

Për të kuptuar më mirë këtë pikë-kthese duhet parë edhe ndryshimi i qëndrimit të presidentit amerikan ndaj Benjamin Netanihut; Trumpi i dha mbështetje të plotë kryeministrit izraelit dhe ndjekësve të linjës së ashpër në negociatat e paqes në Lindjen e Mesme, në një kohë kur më herët kishte lënë të kuptohej se synonte të ishte një “ndërmjetës” i paanshëm në rajon.

“Nuk ndihmon shumë nëse nis tani e them se jam pro-Izraelit, tha Trumpi në një debat të kandidatëve republikanë shkurtin e vitit 2016, kur u kritikua ashpër nga senatorët Ted Cruz dhe Marco Rubio për neutralitetin e vet të deklaruar në negociatat arabo-izraelite. Më vonë do të thoshte se nuk ka “ekuivalencë morale“ mes izraelitëve dhe palestinezëve në bisedimet e paqes dhe se “ditët e trajtimit të Izraelit si një qytetar i klasës së dytë do të merrnin fund“ , kur ai të bëhej president. Dhe që kur mori çelësat e Zyrës Ovale, nisi procesin e zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem, kërcënoi palestinezët me sanksione të reja, vazhdoi të dënonte qeverinë iraniane e në fund, braktisi marrëveshjen e armëve bërthamore me atë vend, duke cituar si shkak,  pjesërisht, provat e ofruara nga vetë zoti Netaniahu”, shprehet Anthony Zurcher.

Së fundi, është shumë e rëndësishme te shihet edhe se kush e këshillon presidentin për hapat që mendon të marrë. Zërat më të fuqishëm që e këshillonin të mos e braktiste marrëveshjen kanë qenë sekretari i shtetit Rex Tillerson, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare HR McMaster dhe sekretari i mbrojtjes James Mattis. Sot, të tre ata janë dorëhequr.

“Dikur, presidenti mund të jetë këshilluar të tregohej I kujdesshëm me braktisjen e angazhimeve amerikane ndaj Iranit, por tani, instiktet e tij duket se kanë gjetur një mbështetje entuziaste. Pas kësaj periudhe të kaluar në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai ia doli të krijonte një ekip të politikës së jashtme që është pak a shumë në të njëjtën linjë- në linjën e tij”, tha Anthony Zurcher.

Korrikun e 2018-tës, megjithatë ai ofroi bisedime, vetëm se liderët e republikës islamike nuk shpejtuan t`i kthenin një përgjigje. Një pjesë e mesazheve të tyre përsërisnin në thelb të njëjtën gjë: “Amerika, në fillim duhet t`i kthehet marrëveshjes bërthamore”.

“Respekt për kombin e madh iranian, mjaft më me armiqësitë, Shtetet e Bashkuara të pranojnë paktin nuclear…vetëm kështu mund të zhbllokohet rruga e bisedimeve”,thotë  Hamid Aboutalebi, këshilltar i presidentit Hassan Rouhani.

Analistë vendas e mbështesnin po ashtu këtë qëndrim, të përforcuar duket nga rivendosja e sanksioneve të plota, nisur nga 6 gushti.

“Ne nuk kemi sesi negociojmë me dikë që shkel angazhimet ndërkombëtare, që kërcënon të shkatërrojë kombe e që në mënyrë të vazhdueshme e ndryshon pozicionin e vet”, thuhet të ketë thënë Mohammad Marandi, of the University of Tehran.

Edhe në mesin e iranianëve të thjeshtë, pati shumë ngurrim për ta konsideruar këtë një degë ulliri. Shqetësimi kryesor i tyre janë, siç mund edhe të pritej, problemet e brendshme, sidomos kolapsi i monedhës vendase dhe vështirësitë ekonomike. Por, ndërsa treguan se nuk i zënë besë Trumpit, nuk qe e vështirë të lexohej mes fjalëve të tyre dëshira për një përmirësim të situatës me Amerikën, e cila gjallonte mes urrejtjes dhe dyshimit.

“Çdo gjë që do ta ndihmonte popullin tonë në këtë situatë të vështirë, do të ishte e mirëpritur. Do të doja shumë që negociatat të ndodhnin vërtet”, tha Fathi.

“Të gjithë ne besojmë se Trumpi është armik i Iranit dhe i popullit të tij. Por ndoshta tani, ai kërkon t`i japë këtij populli një shans, e dashtë Zoti, kjo na ndihmon ta kapërcejmë këtë situatë katastrofike’, tha Hushiar.

Trumpi dhe aleatët e tij në Lindjen e Mesme janë të bindur se duke rivendosur sanksionet, e duke goditur limfën ekonomike të Iranit, herët a vonë, regjimi i atjeshëm do të thyhet. Propaganda iraniane nga ana e saj përpiqet të tregoje se mbi politikat e brendshme dhe të jashtme të vendit, masat shtrënguese nuk do të kenë efekt.

“Sanksionet nuk kanë funksionuar kurrë. Ato amerikane do të dëmtojnë vetëm iranianët e thjeshtë, por nuk do të kenë asnjë ndikim mbi politikat e Iranit”, tha Mohammad Javad Zarif , minister i jashtëm i Iranit.  

 E vërteta është se impakti i sanksioneve te paramenduara të shënjestrojnë pjesë kyçe të ekonomisë vendase, po ndihet. E jo vetëm brenda kufijve. Për një student Iranian që studion jashtë, sistemi bankar është kthyer në makth. Ai e ka shumë të vështirë të hapë një llogari në banke si student i republikës islamike; çka transaksion i lidhur me Iranin bllokohet ose kërkon sqarime të imtësishëm përmes një dokumentacioni të detajuar për burimin e tij. Biznesi po i ndjen fort gjithashtu.

 “Sanksionet na kane goditur deri ne palce, cfare thoni, zyrtaret tane flasin vete fjale boshe. Janë kohëra shumë të këqija këto për biznesin. Fuqia blerëse ka rënë fare”, thotë një banor në Iran.

 Teorikisht, tërheqja e Amerikës i jep më shumë mundësi Iranit që të prodhojë material bërthamor sa të dëshirojë ai, ashtu siç bënte në fund të fundit edhe përpara 5 vjetësh kur bota druhej se regjimi i ajatollahëve po i afrohej prodhimit të një bombe atomike. Por ekipi i Trumpit nuk e sheh aspak një rrezik të tillë: Irani, sipas tij nuk e ka fuqinë ekonomike të përballet me Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Aarabinë Saudite. Dhe po kështu, e di shumë mirë se çdo lëvizje për të krijuar një armë bërthamore nuk do të bënte gjë tjetër veçse do t`i jepte Amerikës dhe shtetit hebre justifikimin që i duhet për të ndërhyrë ushtarakisht. A është vërtet kështu?  A i druhet Irani një konfrontimi me SHBA-në, sidomos Amerikën e Donald Trumpit që e përshkallëzoi deri në atë pikë retorikën nukleare me Korenë e Veriut, sa bëri të frynte erë lufte e që në fund, e detyroi diktatorin Kim Jong Un të zbrapsej e të pranonte paqen më vendin që e konsideronte si armikun e vet më të madh.

 “Iranianët druhen se lufta e fjalëve mes Ëashingtonit dhe Teheranit mund të derdhet nëpër rrugë. Shqetësimi I tyre është se sanksionet do të sjellin më shumë sesa thjesht gjunjëzim ekonomik: ata frikësohen për sigurinë e tyre”, thotë një analist i AFP.

 Presidenti amerikan është i bindur se Irani mbetet një kërcënim në hije që nuk duhet nënvlerësuar. Por SHBA-ja problemin e sheh tek lidershipi i vendit. Shefi aktual i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo, tha në një fjalim të mbajtur 6 muaj më parë përpara një publiku iraniano-amerikan se “administrata Trump ëndërron të njëtat gjëra që ëndërrojnë dhe iranianët e thjeshtë”. Disa e panë fjalimin e tij si pjesë të një “politike për ndryshimin e regjimit” në republikën islamike, dhe të tjerë si mundësi të mirë për të mbështetur iranianët që luftojnë për demokraci në vendin e tyre. Brenda Iranit megjithatë, politika amerikane duket ka pak ndikim : shkëndijat e rebelimit qe u panë me protestat mbarëkombëtare dhe aktet e mosbindjes civile të nisura dhjetorin e 2017-tës, konsiderohen më së shumti si shpërthime spontane të iranianëve guximtarë, të lodhur nga vite të tëra premtimesh për reforma e nga mbyllja në një vend që konsiderohet në buzë të kolapsit ekonomik.

Me zgjedhjen e një presidenti të konsideruar të moderuar, dhe arritjen e marrëveshjes atomike me fuqitë botërore, Irani është përpjekur të shfaqë një fytyrë reformimi dhe paqtimi. Trumpi megjithatë është i bindur se ai e ka vazhduar aktivitetin atomik prapa shpinës së perëndimit. Autoritetet iraniane e kanë mohuar gjithmonë me forcë një gjë të tillë. por janë ndërkohë dhe disa incidente të fundit që hedhin hije të re dyshimi mbi çiltërsinë e regjimit dhe qëllimeve të tij. Vetë BE-ja, e cila është treguar tejet e kujdesshme me republikën islamike për shkak të paktit nuklear, i goditi së fundi me sanksionet shërbimet e tij të inteligjencës dhe dy individë. Për bllokun, Teherani qëndron pas komploteve për të eliminuar kundërshtarë të regjimit ne tokën holandeze, atë daneze dhe atë franceze. Diplomatë të Francës e Danimarkës i kanë informuar që në muajin dhjetor homologët e tyre europiane për këtë çështje. Qeveria holandeze hyri pak më shumë në detaje kur sqaroi se beson që pas vrasjes së dy disidentëve në 2015-tën dhe 2017-tën qëndron pikërisht Irani. Blloku 28 anëtarësh e peshoi mirë për javë të tëra hapin e tij, dhe në fund, e hodhi. Shqipëria gjithashtu dëboi dy diplomatë të Iranit, një prej të cilëve vetë Ambasadori i tij në Tiranë, Gholamhosein Mohammadnia mbi dyshimin e përfshirjes në aktivitete qe cënojnë sigurinë në vend. Anëtarët e MEK-ut, opozitës iraniane në mërgim,  ndërkohë akuzojnë agjenturat e shtetit Iranian se I kërcënojnë me jetë. Atëherë, ku qëndron pra Irani, është një vend që po e kërkon realisht afrimin me perëndimin apo një komb i cili ngjall frikë me ngritjen si një superfuqi e re në Lindjen e Mesme, e që po tenton ta shtrijë ngadalë influencën e tij në mbarë rajonin e përtej…

Nga Irida Vasia

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA