Kryetari i Grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur me një status në Facebook Presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar “qesharak” kreun e shtetit.
Referuar deklaratave nga zëdhënësi Tedi Blushi për mosdekretimin e Cakajt dhe për drejtësinë e re, kreu i grupit socialist thotë se Meta nuk ka shans të pengojë punën e qeverisë dhe as reformën në drejtësi. Në fund, Balla ka edhe një apel për kreun e shtetit, që të ruajë qetësinë.
Statusi i Ballës
Zoti President, ne s’ju pengojmë dot të jeni Iliri qesharak që kemi njohur me shumë se sa njëherë kur Monika ia fut kokën në çizmen e saj! Por këto bumjet tuaja që po e bëjnë edhe Bujar Nishanin të duket si Xhefersoni, nuk impresionojnë dot më askënd.
Ne s’jemi as PD, as LSI dhe s’kemi ndërmend të humbasim kohë me konflikte të kota me ju. Sepse ju s’keni asnjë shans dhe s’do keni asnjë mundësi të pengoni as punën tonë dhe as Reformën në Drejtësi, që e di Shqipëria dhe bota se sa shumë e deshironi të realizohet.
Por meqë ju kemi dhënë votën si President, ju ftojmë të ruani qetesinë sa të mundeni sepse duke u bërë ju qesharak, sigurisht edhe ne nuk ndjehemi mirë.
Top Channel