Arsyeja që buxheti i administratës shtetërore është bllokuar në SHBA, varet kryesisht nga kërkesa e presidentit Donald Trump për të dhënë 5 miliardë dollarë për të ndërtuar murin me Meksikën, kundër emigrantëve.

Demokratët, të cilët tashmë kanë edhe shumicën në kongres, e kundërshtojnë këtë kërkesë. Si rrjedhojë, administrata shtetërore nuk paguhet dhe pjesët kryesore të saj u mbyllën, që në datën 22 Dhjetor.

Trump ka refuzuar të tërhiqet nga kërkesa për murin, duke bërë që bllokimi i qeverisë të hyjë në ditën e 19-të, për herë të parë në  historinë e Amerikës.

Si rrjedhojë, në shumë parqe publike të SHBA-ve, të cilat janë mbajtur hapur për vizitorët, koshat e plehrave nuk janë pastruar dhe pamja ka nisur të duket e shëmtuar.

Bllokimi i qeverisë prek 800 mijë punëtorë në nëntë departamente të ndryshme, përfshi departamentin e Bujqësisë, Tregtisë, Drejtësisë, Sigurisë Kombëtare, Banesave dhe Zhvillimit Urban, departamentin e Punëve të Brendshme, Departamentin e Shtetit, të Transportit dhe të Thesarit.

Punonjësit që bëjnë punë “thelbësore” duhet të punojnë pa rrogë, ndërsa të tjerëve u jepet leje e përkohshme.

Shumë punëtorë që janë detyruar të punojnë pa rrogë, kanë hapur padi kundër qeverisë. IRS, departamenti që merret me mbledhjen e taksave, ka ndaluar shumë prej shërbimeve, por zyrtarët thanë se rikthimi i taksave që ndodh në këtë periudhë, ka për të vazhduar.

Po ashtu, edhe gjykatat e emigrimit janë prekur nga mbyllja, duke vonuar rreth 800 mijë çështje.

Një tjetër kategori që preket në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë amerikanët e parë, vendasit (indianë), të cilët varen nga shërbime të shumta shtetërore, sidomos për të çliruar rrugët nga bora.

Edhe pse shumica e amerikanëve nuk preken drejtpërsëdrejti, me miliona mund të preken rëndë nëse bllokimi nuk mbaron deri në shkurt.

Banorët të cilët marrin përkrahje shoqërore për ushqimin, mund të mos kenë më mundësi ta marrin këtë shërbim nëse bllokimi nuk ndalon deri në mars.

Por marrëveshja duket ende e largët, teksa Trump fajëson demokratët dhe kërcënon se do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare, po të mos  nisë ndërtimi i murit.

FOTO GALERI
8/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA