Bojaxhi në “Top Talk”, politika kërkon alternativë. Këtë e sjellin qytetarët përmes votës

09/01/2019 16:20

Me rolin e një qytetari të angazhuar në shumë kauza të ndryshme, Gjergj Bojaxhi ka qenë i ftuari i kësaj të mërkure në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, për të folur për aktualitetin politik; protestën e studentëve, ndryshimet në qeveri, mundësitë dhe hapësirat e krijimit të alternativave të reja poltike, përballë establishmentit politik aktual.

Ndër zhvillimet e fundit kemi ende një lloj ngërçi, me kryeministrin që përsërit herë pas here ftesën për dialog, ndërsa studentët vijojnë t’i mbeten qëndrimit për të dalë në rrugë për plotësimin e kërkesave të tyre. Siç edhe thonë, rrëzimi i “ligjit për Arsimin e Lartë” është kyç për ndryshimin e qëndrimit të tyre.

Si e sheh zoti Bojaxhi pozicionimin e palëve kur mungon këmbimi dhe dialogu?

“Protesta e studentëve, qartazi na bëri të ndiheshim mirë të gjithë, për një moment të paktën. E kishim ulur tej mase pritshmërinë për veten tonë saqë mjafton të dalë një grup i vogël qytetarësh në rrugë të protestojë, në këtë rast studentët, e të gjithë u entuziazmuam, sepse menduam se më në fund shqiptarët mund të dalin të protestojnë, të mobilizohen, aq më tepër kur shohim brezin e ri ta bëjë këtë. Reagimi i parë, besoj se për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare kjo ka qenë një ndjesi pozitive. Pastaj, fakti që kanë refuzuar të organizohen, të nxjerrin përfaqësues, të zhvillojnë një komunikim më dinamik me klasën politike dhe me qeverinë, tregon pikërisht sëmundjen që ka kapur shoqërinë tonë. Ne nuk kemi më besim tek askush, as te kolegët tanë që të dalin e të na përfaqësojnë”, tha Bojaxhi.

Duket sikur jemi të kapluar nga paranoja…

“Fiks fare dhe kjo është mbase arma më e fuqishme që ka sistemi politik në Shqipëri. Pikërisht fakti që ne nuk besojmë më te njeriu i ndershëm dhe njeriu i mirë. Kjo nuk na mundëson që të organizohemi dhe të nxjerrim përfaqësues”, shpjegoi më tej Bojaxhi.

Në fakt, protesta krijoi impakt ndërgjegjësues, por a mund ta kalojë këtë nivel? A mund të krijojë një veprim të ri politik kjo lloj proteste, pavarësisht se studentët janë përpjekur të ruajnë konservacioni, për të mos e cilësuar veten si pjesë të politikës.

“Fakti që studentët kanë dashur që në maksimum t’i mbajën elementët dhe partitë politike jashtë protestës së tyre, tregon dhe konfirmon mosbesimin që kanë studentët ndaj klasës politike. Ashtu siç tregon dështimin e qeverisë në lidhje me çfarë ka bërë për Arsimin e Lartë, konfirmon edhe dështimin e opozitës fatkeqësisht, sepse tregon se një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë refuzojnë edhe opozitën që të bëhet zëri i tyre, duke mos e parë si të besueshme për të qenë zëri i tyre. Në këtë këndvështrim tregohet një mosbesim shumë i lartë ndaj të gjithë klasës politike, por mendoj se kjo lloj proteste, në këtë mënyrë ka limitet e veta. Për shembull, po kërkohet rrëzimi i ligjit për Arsimin e Lartë… Shumë bukur, e rrëzojmë atë, por me çfarë do të zëvendësohet? Universitetet sot janë duke punuar me këtë ligj dhe nuk mund të rrëzosh një ligj pa pasur alternativën e tij. Për ta bërë këtë, nëse do të shkonim drejt kësaj zgjidhjeje, atëherë duhet një artikulim dinamik, duhen propozime konkrete, të cilat mungojnë sepse nuk mund të bëhen nga një grupim në rrugë, por nga struktura të organizuara qoftë të studentëve, qoftë të partive ekzistuese në qeveri ose opozitë. Ndaj, kjo lloj proteste, pa një strukturë dhe organizim të mirëfilltë, pa njerëz që të pranojnë të besojnë te kolegët e tyre se mund t’i përfaqësojnë denjësisht, sigurisht me demokraci dhe transparencë mes tyre, përbën edhe limitin se çfarë mund të arrihet”, thotë në vijim Bojaxhi.

Thënë këtë, studentët mund të shkojnë në një dialog dhe përballje me qeverinë për të vënë kushtet e tyre, apo jo?

“Nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe, por unë do t’i vlerësoja më pas në bazë të qëndrimeve që do të mbajnë përpara qeverisë dhe çfarë kërkojnë. A janë transparentë dhe po kërkojnë të përmirësojnë sistemin arsimor shqiptar, apo thjesht për të rregulluar interesin e tyre të ngushtë? Kjo do të ishte mënyra sesi unë do të vlerësoja pozitivisht ose negativisht përfaqësimin dhe rezultatin e debatit me qeverinë”, tha Bojaxhi.

Në një kontekst, zoti Bojaxhi i vendos palët në mënyrë të diferencuar përballë mosbesimit. Por cili është shkaku i krijimit të këtij mosbesimi? Njerëzit, individët përfaqësues në politikën shqiptare, apo mendësia e tyre?

“Duke mos luajtur me pulën e vezën, unë personalisht do të thoja se klasa politike, partitë e mëdha që kanë pushtetin, sepse pushtet është edhe të jesh në opozitë. Por partitë ekzistuese e kanë në interesin e tyre që qytetarët të jenë mosbesues, që të mos besojnë se mund të ketë politikanë të ndershëm, që mund të ketë njerëz që futen në politikë dhe në jetën publike me të vërtetë për të luftuar për atë që thonë, e jo për prapaskena apo motive të tjera, gjë që duket edhe si jo intuitive. Por përse partitë duan që populli dhe shoqëria të ketë këtë mendim? Sepse ato ekzistuese kanë krijuar një bazë militantësh dhe një bazë ekonomike me këta militantë. Kështu që, sikur edhe 90 për qind e popullatës të mos dalin të votojnë, do të dalin 6% nga një parti, 4% nga tjetra dhe zgjedhjet quhet në vlefshme, duke të të dhënë pushtetin për ta administruar”, tregoi më tej Bojaxhi.

Por si mund të thyhet ky lloj establishmenti për të krijuar një realitet të ri ose një dinamikë të re në këtë lloj kënete politike?

“Unë vet kam qenë pjesë deri para dy vitesh e një partie, ‘Sfida për Shqipërinë’, për të bërë një ndryshim dhe për të sjellë një alternativë ndryshe. Nuk ia arritëm dot, kështu që duhet edhe ne të reflektojmë përse”, tha Bojaxhi.

A mos do të thotë kjo se nuk ka më shpresë për të krijuar jo një forcë politike, siç thatë ju, por një realitet të ri brenda sistemit?

“Mendoj se pesimizmi nuk është zgjidhje në çdo rast. Individi dhe shoqëria duhet të jenë optimistë, të përpiqen të nxjerrin alternativa të ndryshme. Por do të thoja se përpjekje ka pasur, siç kam qenë edhe vet pjesë e një prej tyre”, tha Bojaxhi.

Por ju jeni një përpjekje e dështuar në këtë realitet, le ta pranojmë politikisht kështu faktin. Çfarë duhet të ndryshojë që të ketë një alternativë të suksesshme?

“Mendoj se përtej përpjekjeve që ne bëjmë për të gjetur një zgjidhje teknike të problemit, në fund të ditës nuk mund të ketë zgjidhje teknike për një problem rrënjësisht politik. Kjo do të thotë se, sado që ne të ndryshojmë elementë të ndryshëm të Kodit, ligjeve, etj., në fund të ditës është qytetari shqiptar që me votë dhe duke pasur guximin për të besuar, nuk do të besojë te Gjergji, por mund të besojë te Denisi ose dikush tjetër. Vetëm qytetarët me votë mund të fillojnë të ndërtojnë një realitet të ri politik në vend, gjë që deri më tani nuk po e shikojmë. Gjatë angazhimeve që kam pasur kam vënë re se një argument shumë i fortë që jepet është se, po nuk ishe shumë i madh, nuk ke çfarë të bësh. Përkundrazi, unë mendoj se politika fillon me përfaqësim dhe përfaqësimi mund të jetë edhe i vogël. Sot, qytetarë që nuk ndihen të përfaqësuar nuk kanë asnjë deputet në Parlament që flet me zërin e tyre. Ata deputetë që janë në Parlament janë ushtarë të kryetarëve të partive. Kështu që qytetarët shqiptarë duhet të fillojnë qoftë edhe me një përfaqësim të vogël në Parlamentin shqiptar, ose në Këshillat Bashkiakë. Vetëm kur të fillojë ky proces nga pak, atëherë mund të nisë edhe të zgjerohet”, theksoi Bojaxhi.

A mos duhen vallë edhe 50 vite për të arritur deri këtu?

“Sa më shumë që kalon koha, bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më pak i kollajshëm. Unë mendoj se klasa politike është duke u sofistikuar gjithmonë e më shumë dhe njerëzit që duan ndryshimin, shpeshherë nuk qëndrojnë për të luftuar, por ikin sepse gjejnë një zgjidhje diku tjetër. Ndaj mendoj se koha nuk është edhe aq shumë në avantazhin tonë, përkundrazi mendoj se është në disavantazhin tonë”, tha Gjergj Bojaxhi.

Përballë këtij realiteti, a ka një valvulë sistemi që të mund të krijojë reaksionin që duhet të thyejë sistemin? Kush mund ta ndryshojë sistemin?

“Sistemi ndryshohet duke pasur një alternativë ndryshe politike, gjë që mund të lindë nga protesta si kjo e studentëve, apo siç kemi bërë ne përpara dy vitesh me ‘Sfidën për Shqipërinë’, apo nga një parti tjetër që mund të dalë. Problemi qëndron se, për aq kohë sa ne si shoqëri mendojmë që të gjithë janë maskarenj, të korruptuar, çdo njeri që futet në politikë do të kompromentohet, kjo mënyrë të menduari i shërben klasës politike ekzistuese. Ajo ku ta gjejë që njerëzit tanë nuk duan të merren me politikë. Jemi po ne që i kemi dhënë politikës të gjithë fuqinë dhe pushtetin për të bërë gjithçka, e jemi po ne që në fund të fundit themi nuk duam të merremi me politikë. Kjo është skandaloze. Ne duhet të merremi me politikë, thjesht duhet të bëjmë një politikë ndryshe. Kjo s’ka për të ardhur nga jashtë, por do të bëhet nga njerëzit brenda kësaj shoqërie. Për aq kohë sa ne mendojmë se nuk ka njerëz të ndershëm, kjo klasë politike do të qëndrojë. Besoj se edhe njerëzit që besonin në 2013-n te modeli i Ramës, e kanë kuptuar që ai model ka dështuar, pasi është modeli i centralizimit të korrupsionit dhe jo zhdukja e tij. Kjo po shitet nën petkun e të bërit shtet”, tha Bojaxhi.

Po nëse Rama votohet sërish, çfarë tregon kjo?

“Problemi i shoqërisë sonë nuk është se njerëzit nuk e kanë kuptuar cili është modeli i kryeministrit Rama. Problemi që kemi ne është se nuk kemi alternativë politike, sepse opozita nuk ofron alternativë politike ndryshe nga kjo e këtij pushteti. Këtu kemi ngecur ne. Nuk ndërtojmë dot një alternativë të re, ndërsa partitë e opozitës refuzojnë të ndryshojnë për t’iu përshtatur një realiteti të ri politik, sepse janë të gatshme të jenë më mirë pjesë e këtij rotacioni dhe pazaresh, sesa ta ndryshojnë veten e tyre në mënyrë rrënjësore”, deklaroi Bojaxhi.

Në këto 30 vite, historia ka treguar se nuk janë vetëm partitë politike në Shqipëri që luajnë një lojë politike, por edhe faktori ndërkombëtar, me shumë ndikim për shumë nga çështjet e rëndësishme dhe ecurinë e demokracisë në Shqipëri. Të bën përshtypje distancimi i shumë prej diplomatëve të huaj me ndikim në Tiranë nga Reforma Zgjedhore që po diskutohet.

Përse zgjedhin ndërkombëtarët të mos përzihen në këtë reformë, kur e bënë me Reformën në Drejtësi apo të tjera?

“Reforma në sistemin zgjedhor është shumë më politike dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me partitë politike. Mendoj se ata kanë bërë ndërhyrje shumë të forta dhe janë përpjekur të jenë më agresivë te Reforma në Drejtësi. Gjë që teorikisht mundet të prodhojë një realitet të ri. Në realitet, gjasat mendoj se i ka të pakta, për shkakun e thjeshtë se ne jemi në gropë dhe jo në një fushë e na duhet të lëvizim. Ne duhet të dalim nga gropa, e për këtë duhen luftëtarë. Me aq sa e njoh unë sistemin politik dhe atë të drejtësisë në Shqipëri, ata që duan të luftojnë futen në politikë dhe jo në sistemin gjyqësor. Sistemi gjyqësor është burokrat”, tha Bojaxhi.

A është një “pseudo” reformë kjo e Drejtësisë, sipas Bojaxhiut?

“Është një përpjekje që mund të ketë disa efekte, por që do të jenë shumë më të ngadalta nga ritmet me të cilat ne kemi nevojë. Klasa politike, mendoj se ka shumë gjasa që do t’i absorbojë efektet e Reformës në Drejtësi dhe nuk do të cënohet aq sa ne mendojmë. Ne si qytetarë kemi pasur si motiv kryesor, që kemi pranuar ndërhyrjen te njerëzit e drejtësisë, pikërisht efektin që do të ketë për të ndryshuar politikën. Ne duam që përmes Gjyqësorit të ndryshojmë politikën, që është një mekanizëm, por në fakt politika duhet ndryshuar me votë”, përfundoi intervistën Gjergj Bojaxhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA