Protesta studentore, frustrim ndaj arrogancës? Klosi në “Top Talk”: Bashkëqeverisja do të vazhdojë

08/01/2019 16:26

Protesta e studentëve, që nisi në dhjetor e po vazhdon edhe në këtë fillim viti të ri, detyroi kryeministrin Rama të ndyshojë gjysmën e qeverisë, e cila ka mbetur e paplotë për shkak të mosdekretimit të të gjithë ministrave të rinj.

Njëri prej ministrave që i shpëtoi purtekës së kryeministrit, por edhe shkarkimit, është ministri i Turizmit dhe Mjedisit. Blendi Klosi ishte këtë të martë në studion e “Top Talk”, si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja.

Pavarësisht se Klosi e konsideroi si cikël politik normal, tronditja në fakt erdhi pas protestës masive të studentëve, gjë që e ka pranuar edhe vet kryeministri.

“Ju garantoj që ndodhi në këtë periudhë, por ama nga protesta e studentëve. Këtu doja të ndaja dy protestat, atë të studentëve dhe atë të opozitës. Protesta e studentëve ishte një moment i fortë reflektimi. Prania aq e madhe e studentëve atje në shesh, me kërkesa për të cilat realisht kishin të drejtë, e që u zgjidhën në implementim të ligjit të Arsimit të Lartë, apo detyrimeve që ka shteti për të parë shtresat në nevojë, e më tej detyrimet që ka shteti apo politika për të forcuar jetën studentore”, deklaroi Klosi.

Megjithatë opozita është në të drejtën e saj të protestojë apo të pretendojë, sepse politikisht është korrekte të pretendojë.

“Për atë pjesë të protestës jemi dakord, për këtë tjetrën të opozitës dua të them se është e vërtetë që çdo opozitë, nga dita e parë që humbet zgjedhjet del edhe thotë se qeveria duhet rrëzuar për një arsye apo një tjetër. Kjo është krejt legjitime, por ama nuk mendoj që qoftë edhe një protestues i opozitës në shesh, qoftë edhe një analist i opozitës në studiot televizive, të mendoj që ka aq forcë kjo protestë opozitare sa të ndryshojë një moment qeverisës. Reflektimi karshi çfarë duan njerëzit dhe reflektimi mbi atë çfarë ne kemi premtuar, të mos harrojmë se në 2017-n premtuam para shqiptarëve se do të bashkëqeverisnim me qytetarët dhe i ulëm simbolet partiake në fushatën e 2017-s dhe morëm atë mandat të vetëm në qeverisje. Thamë se do të qeverisnim dhe do ta konsumonim mandatin tonë të vetëm duke parë problematikat dhe hallet e njerëzve, jo protestat”, tha Klosi.

Edhe protesta e studentëve, sipas Klosit, me kërkesat për mënyrën sesi funksionojnë nuk erdhi si një rrufe në qiell të pastër, por ishte si pasojë e një politike prej një viti e gjysmë që ata kanëi në bashkëqeverisje.

Megjithatë, për të mos u treguar shumë naivë, brenda protestës kishte edhe një frustrim publik për mënyrën e qeverisjes dhe arrogancën në qeverisje. A janë konshientë socialistët dhe a e shohin realitetin siç është, se ka pasur edhe arrogancë në qeverisjen e tyre, që prodhoi një frustrim publik, të cilin e demonstruan të parët studentët?

“Protestën e ndamë në dy pjesë dhe atë të studentëve e mirëkuptuam, besoj që bëmë një reflektim të thellë edhe në kuadër të detajeve që s’kanë lidhje fare me çfarë studentët ngritën. Mënyrën sesi ne qeverisim, sesi njerëzit na perceptojnë, sesi ne i realizojmë ato çfarë kemi premtuar, por edhe më shumë se kaq, ato çfarë njerëzit duan. Padyshim që të gjitha këto sollën në një reflektim tonin që u shoqërua edhe me ndryshimin e 7 anëtarëve të kabinetit qeveritar. Por bashkëqeverisja nuk do të përfundojë këtu, do të vazhdojë edhe më tej. Qytetarëve do të përpiqemi t’u zgjidhim gjithmonë hallin, ndërsa masa ndëshkimore ndaj shkelësve është shumë e madhe. Këtë gjë nuk e kemi gjë të re, por e kemi filozofi”, tha Klosi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA