Me helikopter e 100 efektivë, goditet klani mafioz. Kapen dhe 3 shqiptarë

08/01/2019 23:40

Një mega-operacion policor i koduar “Vele” është zhvilluar në Leçe të Italisë paraditen e së martës dhe tre shtetas shqiptarë nën hetim janë arrestuar, së bashku me 16 të tjerë, kryesisht italian. Ky grup cilësohet si kriminal e mafioz dhe rezulton i përfshirë në trafikimin e drogës në Salento, ndërsa në total për rastin janë hetuar 49 persona.

Në këtë operacion u përfshinë mbi 100 efektivë dhe një helikopter, ku u zbatuan 16 urdhër-arreste me burg të lëshuara nga prokuroria Antimafia dhe të firmosura nga gjykata e Leçes, ndërsa banda ka lidhje me klanin famëkeq të “Sacra Corona Unita”.

“Corriere” raporton se shqiptarët që bënin pjesë në këtë grup kriminal janë Eltian Isufaj, 30 vjeç, me banim në kampin e romëve “Panareo” në Leçe, Soni Hajdari, 28 vjeç, me vendbanim të njëjtë dhe aktualisht nën arrest shtëpiak dhe Krenar Skendaj 46 vjeç, aktualisht pas hekurave në Campobasso.

Organizata kriminale, sipas hetimeve, vepronte në Leçe e Brindisi, duke kontrolluar pjesë të trafikut të drogës, ndërsa disa anëtarë të saj kanë ushtruar presion ndaj familjes së një bashkëpunëtori të drejtësisë italiane.

Gjatë hetimeve, janë sekuestruar sasi të ndryshe droge të llojit kokainë, heroinë, hashash e marijuanë që në disa raste vinin nga Shqipëria.

Por kush janë 3 shqiptarët, anëtarë të bandës?

Eltian Isufaj rezulton një emër i palakuar më herët nga mediat italiane. I dyti, Soni Hjadari, rezulton i ndaluar në vitin 2016 po në Leçe, pasi është kapur me 16 doza kokainë.

Ndërsa emri i Krenar Skendaj, shfaqet në disa raste, në raportimet e kronikës së zezë në Itali.

Qershorin e vitit të kaluar, mediat italiane raportuan se Skendaj u dënua me gjykim të shkurtuar me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ai u arrestua gjatë një operacioni policor në bashkëpunim mes policisë italiane dhe asaj shqiptare, në mars të atij viti, kur u sekuestruan 500 kg marijuanë. Skendaj, bashkë me një tjetër person, ishin në bordin e një gomoneje që nisej nga Shqipëria.

Top Channel