Protesta e studentëve, që nisi në dhjetor e po vazhdon edhe në këtë fillim viti të ri, detyroi kryeministrin Rama të ndyshojë gjysmën e qeverisë, e cila ka mbetur e paplotë për shkak të mosdekretimit të të gjithë ministrave të rinj.
Njëri prej ministrave që i shpëtoi purtekës së kryeministrit, por edhe shkarkimit, është ministri i Turizmit dhe Mjedisit. Blendi Klosi ishte këtë të martë në studion e “Top Talk”, si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja, i cili në fakt mohoi që ndryshimet në kabinet të kishin ardhur si pasojë e protestës së studentëve.
“Mendoj se ka qenë një diskutim i brendshëm i yni, se kishte ardhur momenti që ne duhej të rigrupoheshim për t’u përgatitur për fushatën e ardhshme elektorale”, u shpreh ai.
Klosi theksoi se partitë funksionojnë të tilla, kanë detyrën që të qeverisin kur janë në pushtet, por si strukturë partiake në politikë kanë detyrën kryesore të fitojnë zgjedhjet.
“Në kuadër të synimit për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të gjithë qeverisjes së vendit, duke kombinuar forcën e grupit dhe forcën e drejtimit qeverisës, u bë ky ndryshim i qeverisë, i cili përkoi me protestën e studentëve. Kjo e fundit padyshim që ka nevojë të analizohet, diskutohet, të kuptohet përse ndodhi, si ndodhi dhe sesi po menaxhohet. Por duhet thënë se ndryshimet nuk erdhën vetëm nga momenti i studentëve. Pikërisht tani duhej të kishte një reflektim, e këtë e bëmë përmes forumeve tona partiake”, tha Klosi.
Klosi, së bashku me ministren e Shëndetësisë, ishin dy njerëzit e paralajmëruar se, në rast se nuk plotësojnë detyrat që kryeministri tha se iu ka ngarkuar, do të ishin në listën e të shkarkuarve. Cilat ishin këto detyra që u thanë nga kryeministri, por ne nuk i mësuam?
“Detyra kryesore e ministrit të Turizmit është që turizmi të ecë mirë në Shqipëri dhe në fakt kemi pasur diskutime të hapura e publike, që në harkun e dy viteve në drejtimin e këtij dikasteri, ne të kishim mundësi që në Shqipëri të kishim një hov cilësor të turizmit shqiptar, të kishim jo vetëm shtim të numrit, siç ishte i suksesshëm viti që sapo mbyllëm, por të kishim në Shqipëri edhe prani të disa markave të njohura të hoteleve me 5 yje, e mbi to të ngrihej e gjithë filozofia e investimeve të rëndësishme në fushën e turizmit. Ato kanë nevojë që brenda qershorit të këtij viti të demonstrojnë se Shqipëria është e gatshme të presë të huaj”, tha Klosi.
Kjo lë të kuptohet se flitet vetëm për objektiva institucionale, e asgjë tjetër politike.
“Padyshim që ne kemi dy funksione, si administrator publik në drejtimin e një institucioni, për të cilin folëm. Por unë kam edhe detyrën e drejtuesit politik të Qarkut të Beratit, ku edhe rezultati, pritshmëria apo mbështetja që do të na japin votuesit e Beratit do të jetë një tregues më shumë për gjithësecilin nga ne”, tha Klosi.
Sipas tij, detyra kryesore e institucionit që ai drejton, është që hapja e sezonit të ri turistik në maj-qershor ta gjejë Shqipërinë me më shumë kapacitete turistike dhe infrastrukturë turistike më të përgatitur.
E pavarësisht se Klosi e konsideron “normalitet” shkarkimin e gati gjysmës së qeverisë, opozita thotë apo e komenton si rënie të qeverisë, apo të kryeministrit dhe mazhorancës.
“Ju e cilësoni shkarkim, opozita thotë qeveria ra, ndërsa për ne ishte një ndryshim krejt normal i personaliteteve brenda të njëjtit grupim politik, brenda të njëjtës filozofi. Kemi pasur diskutime të gjata për mënyrën sesi ne do ta ridimensionojmë veten tonë, sesi do t’i riparaqitemi publikut me objektiva të qarta jo vetëm për fushatën e ardhshme elektorale, që për ne ka nisur, por për atë çfarë ne duhet ta paraqesim Shqipërinë në kuadër të një hapjeje të re që kemi me Bashkimin Europian, një situate të re në rajon, një nevoje për një zhvillim më të fortë ekonomik të vendit, duke njohur meritat e asaj që kemi bërë në këto 5-6 vite në qeverisjen e vendit.Por mbi të gjitha, sesi ne, në 2 vitet e fundit të mandatit të dytë të bëhemi gati si forcë politike që të shkojmë të ndershëm para qytetarëve në garën e ardhshme elektorale”, tha Klosi.
Top Channel