Ekipi negociator i Kosovës i udhëhequr nga dy bashkëkryesuesit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, ka nisur në Bruksel takimin me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politiken e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.
Nga sa sqaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kociajançiç, ekipi është ftuar nga blloku europian për konsultimet, por bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë mes dy presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë.
Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, një proces ky i ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Dialogu në nivelin e lartë zhvillohet mes dy krerëve të shteteve dhe kjo nuk ndryshon”, deklaroi Koçijancic.
Dialogu që përmend zëdhënësja, aktualisht ka ngrirë, ndërsa vete ekipi negociator refuzohet nga opozita në Kosovë.
Lidhjen Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje këmbëngulin se ky delegacion nuk përfaqëson, sipas tyre, vullnetin e shumicës qytetare.
Beogradi ndërkohë e ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në dialog përsa kohë Prishtina nuk heq taksen 100% mbi produktet serbe që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri Ramush Haradinaj duket i palëkundur në qëndrimin e tij se taksat nuk do të hiqet nëse Serbia ta ndalë agresionin politik e diplomatik ndaj shtetit të Kosovës.
Por presidenti Hashim Thaçi pretendon se Prishtina mund ta shqyrtojë mundësinë e heqjes së taksës se papranuar nga serbet, nëse i jepet rrugë e qartë dialogut me synim arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.
Top Channel