Dy lëvizje që bëri në raport me këtë situatë janë ndryshimet në qeveri, për të treguar që ka një reflektim, duke shkarkuar 7 ministra; por njëkohësisht pati edhe disa vendime të Këshillit të Ministrave që lidhen me ndryshimet dhe kërkesat e studentëve.

Grida Duma, sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në PD, e ftuar në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, zbulon se ku ndodhet opozita në raport me kërkesat e studentëve, në një kohë që Rama thotë se po ndryshon ato që njerëzit dhe studentët po kërkojnë…?

“Studentët kishin një ministre Arsimi që ishte figurë politike, të cilës i kërkonin përgjegjësi. Por që në fakt u thurte bejte, duke thënë pse do të zbriste apo nuk do të zbriste. Jo do të shkonte te sheshi, jo nuk do të shkonte, sepse atje nuk bënte politik dhe as arsim. Nxënësit sipas saj duhej të ishin në auditore, të dëgjojnë dhe të ulen në dialog. Kjo ishte figura politike dhe mënyra politike në të cilën mbante përgjegjësi qeveria. Nga ana tjetër, sot nuk ka një qeveri që po mban përgjegjësi, por një qeveri në të cilën Rama është tkurrur. Është fare e qartë që kur dalin studentët në rrugë, në fakt qeveria ka rënë. Është pothuajse një aksiomë e ditur e rënies së pushtetit. Mund të dalin minatorët, pensionistët, të përndjekurit politikë, por kur dalin studentët absolutisht qeveria ka rënë dhe po mbahet me një patericë tërësisht formale”, tha Duma.

Gazetari Dyrnjaja ka sjellë në këtë pikë një kundërdeklaratë të Ramës, kur tha se “edhe pa të, Partia Socialiste i fiton zgjedhjet”.

“Ai është duke deklaruar se është problemi më i madh i Partisë Socialiste. Atij po i flet subkonshienca. Ashtu siç ai mendonte se do të shkonte në sallat e studentëve dhe do të arrinte të fitonte debatin, sepse e di veten që mund të fitojë debatin me batuta, studentët ia kthyen me një kundërbatutë shumë herë më të madhe. Nëse ai i pyeste se përse studentët kishin iPhone, ata i thonin se ku e kishte bërë shtëpinë ai dhe na doli një Ramë emigrant. Ai ka emigruar dhe çfarë bën tani? Tkurret, vendos disa zv.ministra që s’kanë asnjë përgjegjësi politike dhe po tregon se po mbledh radhët e veta. Kjo nuk është qeveri e Partisë Socialiste, asnjëri nga ata zv.ministra nuk janë figura politike që të kenë shkuar të marrin votën dhe përfaqësimin e socialistëve, e të kenë ardhur këtu si figura politike me përgjegjësi. Në raste krizash, qeveria duhet të jetë politike dhe jo e kundërta”, tha Duma.

E pavarësisht se pranon që është zgjedhje e Ramës si kryeministër, ajo e lexon qartazi si tkurrje dhe element krize.

Por, testi i radhës politik është në qershor, me zgjedhjet lokale. Sipas këndvështrimit të së ftuarës, Rama është në rënie…

“Rama ka rënë, por mbahet me elementë formalë”, tha Duma.

Por nëse Rama i fiton sërish zgjedhjet, ky është një problem i madh për opozitën…

“Kjo është një ‘nëse’, të cilën do ta diskutojmë në qershor dhe padiskutim, me të gjithë të dhënat, edhe empirike që ne kemi, sondazhet tregojnë se Rama ka rënë me pikë përqindjeje të atilla, që ai vet nuk do të ishte më në gjendje t’i përballonte. Ai nuk është në gjendje t’i përballojë, prandaj ka dalë te niveli i batutave. S’ka asnjë diskutim se, sot Rama po të hyjë në zgjedhje i humbet të gjitha fitoret e tij të deritanishme”, deklaroi Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD.

E duke lënë mënjanë këtë pretendim normal politik të opozitës, shohim se ka rënë pretendimi për “zgjedhje me kanabis” e po përflitet se zgjedhjet mund të “manipulohen me karta identiteti”. A është kjo alibia e një humbjeje të paracaktuar, apo një alarm për të parandaluar një vjedhje të caktuar?

“Alarmi për vjedhjen e votave fillon nga kanabisi, paratë e kriminalitetit, evazioni fiskal, te kompanitë offshore, etj.. Në të gjitha rastet, çështja e kartave të identitetit iu është shtuar si element, që nuk është i vogël por në rangun e mbi një milionëve. Nuk thotë njeri se do të manipulohen një milion vota, por çështja është që të mos dekurajohen njerëzit të shkojnë në zgjedhje dhe të mos i parapërzgjedhim se kush do të shkojë në zgjedhje, e kush jo. Padiskutim që është një alarm i madh, sepse tregon frikën e madhe të vet qeverisë”, tha Duma.

Në fund, Grida Duma iu përgjigj edhe pyetjes, nëse Rama po vetërrëzohet apo po e rrëzon opozita?

“Ramën, së pari po e rrëzon rezultati i tij negativ. Nuk është thjesht çështja e arsimit, por ajo e ekonomisë dhe e dështimit absolut. Po provohet totalisht se opozita nuk ka thënë gjëra imagjinare, edhe kur i thonim teksa flisnim për avionë dhe dilnin mushkonja; apo kur folëm se nuk do të hapeshin negociatat e anëtarësimit, e sot jemi në një moment kur ende nuk kemi një datë për hapjen e negociatave”, deklaroi Duma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA