Pas Skënderbeut, edhe një tjetër skuadër shqiptare përfundon në radarët e UEFA-s, zyrtarisht për ndeshjet e dyshuara për trukim.

Bëhet fjalë për skuadrën e Luftëtarit, që sezonin e kaluar veror mori pjesë në kompeticionet e UEFA-s, e më saktë në Europa League, duke u eliminuar që në raundin e parë nga skuadra letoneze e Ventspilsit.

Top Channel ka mundur të sigurojë një kopje të “e-mail”-it që qeveria europiane e futbollit ka sjellë për institucionet shqiptare dhe klubin gjirokastrit.

Luftëtari humbi në ndeshjen e parë me rezultain 5-0, gola të pësuar në 45 minutat e para, ndërsa në ndeshjen e kthimit barazoi 3-3 në Elbasan, në një ndeshje që ngjalli shumë dyshime te tifozët për mënyrën sesi shkoi rezultati, me kthime e rikthime rezultatesh.

Muajt e fundit, skuadra gjirokastrite po vuan një mungesë qëndrueshmërie edhe në financa, gjë që duket jo logjike pas një sezoni të suksesshëm në edicionin e kaluar me pjesëmarrjen në Europë. Fondi i UEFA-s për skuadrën gjirokastrite pritej të ishte rreth 250 mijë euro, por kjo shumë nuk ka mbërritur ende dhe është vet UEFA, që në njoftimin e saj zyrtar sqaron:

“Luftëtari është përfshirë në disa ndeshje të dyshimta të Europa League, të cilat janë nën hetim nga sektori i Integritetit, e pagesat për pjesëmarrjen në Europë janë bllokuar derisa të zgjidhet kjo çështje. Siç jeni në dijeni, UEFA ka detyrën të mbrojë integritetin e aktiviteteve të saj dhe të ndalojë të gjitha metodat që mund të rrezikojnë ndershmërinë e ndeshjeve, gjëra këto që mund të nxisin abuzimin me futbollin”.

UEFA, në këtë “e-mail” ka njoftuar krerët më të lartë të Federatës së Futbollit dhe klubin Luftëtari, se ndeshja e zhvilluar në Europë ka ngjallur dyshime dhe është nën hetim prej tyre. Që nga muaji shtator e deri më tani, ende nuk është marrë një vendim, por hetimet po vazhdojnë, duke lënë pezull një tjetër klub shqiptar, pas Skënderbeut, i cili është penalizuar më parë nga UEFA për dyshime të ngjashme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA