Ashtu sikurse kishin paralajmëruar, studentët e nisën vitin aty ku e mbyllën tjetrin, në protestë! Ata u tubuan sërish për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre dhe jo dialog me kryeministrin.

Protesta e sotme u parapri edhe nga apele të vazhdueshme të opozitës, që ndryshe nga studentët kërkon rrëzimin e qeverisë.

Për të folur për këto zhvillime, në intervistën e parë të emisionit “Top Talk” për vitin 2019, gazetari Denis Dyrnjaja pati të ftuar Sekretaren për Marrëdhëniet me Publikun në PD, znj. Grida Duma.

Pyetja e parë drejtuar përfaqësueses demokrate kishte të bënte pikërisht me përpjekjet e opozitës për “marrjen” e protestës së studentëve përmes instrumenteve të saj politikë.

“Nuk shoh asnjë instrument politik të përdorur nga opozita, por një qëndrim plotësisht besnik ndaj vet kërkesës së shpallur të studentëve, që e dinë të gjithë shqiptarët, që kauza e tyre nuk duhet përdorur. Unë dhe besoj kushdo që është pjesë e politikës e kupton qartë se kauza e studentëve nuk është jopolitike. Pavarësisht përpjekjeve të Ramës për ta çuar në hullitë e disa kërkesave thelbësisht ekonomike dhe infrastrukturore, absolutisht që kërkesat e tyre janë me thelb politik. Pavarësisht edhe faktit që disa zëra studentorë përpiqen ta theksojnë se ata nuk janë aty për kërkesa politike, duke iu larguar – besoj unë sipas shpirtit të ri studentor – tendencës së tyre ndaj partitizmit. Ata, për mençuri dhe zgjuarsi, besoj se do ta kuptojnë shpejt që janë duke kryer në fakt një lëvizje politike në mënyrën sesi po sillen. Unë mendoj se PD, së pari, ka marrë një qëndrim strategjik, luajal dhe të mirë që të mos përfshihet me asnjë instrument brenda protestës së studentëve, duke e kuptuar qartë se reagimi i natyrshëm, spontan i vet studentëve është përgjigjja më e mirë dhe më e pastër, edhe për ata shqiptarë që mund të jenë sot skeptikë”, tha Grida Duma.

Por, çfarë ka parasysh Rama – sipas Dumës, – kur thotë se mbyllja e dyerve të disa universiteteve dhe fakulteteve sot në Tiranë tregoi që protesta është kapur nga opozita…?

“Rama luan, tenton, përpëlitet i gjithi në një lëm komunikimi. Gjithçka që bën ai në këtë betejë është komunikimi. Mënyra sesi e ka menaxhuar ai situatën është një menaxhim në krizë totale. Doli e u tha studentëve se e pranon fajin, leksionet që u dhanë studentët, apo atë shuplakën ndaj qeverisë ndërkohë që opozitës i dhanë një grusht. Ai tenton që me çfarëdolloj mjeti komunikimi të thotë se, në fund të fundit ata janë e keqja më e vogël dhe se, sido që të vejë situata, duke e politizuar Rama tashmë, sa kohë që nuk bëhen politik ai do t’i marrë në konsideratë. Në momentin që ata shfaqen politikë, ai pastaj vendoset në një kamp kundërshtar. Ai po luan totalisht, për mua djallëzisht, me një mënyrë komunikimi që i vendos në mënyrë të padukshme studentët përballë përgjegjësisë. Si fillim e delegoi përgjegjësinë te rektorët, që fatkeqësisht qëndruan aty pa folur askush. Më vonë, rektori i Tiranës bëri një deklaratë. Por në fillesë, ai shkoi në fakultete dhe bëri një ‘mea culpa’, gjoja sikur mori fajin përsipër, por sikur të ishte një OJF dhe jo në pushtet. Rama, në mënyrën më të paimagjinueshme, thotë sot se studentët i mësuan atij se kishte kaq shumë padrejtësi në universitete, kaq shumë pisllëk e korrupsion”, u shpreh më tej Duma.

Po përse u duhet “dekriptuar” qëndrimi i Ramës studentëve, a nuk e kuptojnë ata vet këtë? Dhe, përse nuk e kërkojnë ata drejtpërdrejt dorëheqjen e Ramës?

“Ata e kanë kuptuar, por rruga që ata kanë zgjedhur është rruga më racionale. Ata po i argumentojnë vet Ramës përse ai nuk duhet të qëndrojë më. I japin mundësinë të reagojë një herë, dy herë, tri herë…kanë vetëm 8 kërkesa (9 sot) dhe i japin mundësinë të reagojë. Kjo lëvizje e zgjuar rinore i tregon të gjithë shqiptarëve se ‘ne nuk e duam apriori që ai të ikë’, megjithëse duhej të mbante përgjegjësi, por tallet duke thënë se ka 5 vite kryeministër dhe ishin studentët që ia treguan atij sesi është gjendja. Vet deklarimi i tij në vet të parë, ‘nuk dija gjë’, duhej të ishte arsyeja e parë që ai të ikte”, deklaroi Grida Duma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA