Dijetarët në Indi kanë reaguar ashpër ndaj referuesve të një konference shkencore, që hodhën poshtë zbulimet e Isaac Newton (Isak Njuton) e Albert Einstein (Albert Ajnshtajn).

G Nageshwar Rao, zëvendëspresident i Universitetit të Andhras, doli me këtë pretendim dhe të tjera, sipas të cilave një mbret demon, nga rrëfenja epike hinduiste “Ramayana”, kishte 24 lloje avionësh dhe një rrjet pistash për zbritje në Sri Lanka.

Një tjetër kërkues, doktor KJ Krishnan i një universiteti në shtetin jugor Tamil Nadu, tha përpara pjesëmarrësve në Kongresin e përvitshëm indian të Shkencës se, Newton dhe Einstein e kishin gabim dhe valët gravitacionale duhet të riemërtohen si “valët Narendra Modi”.

Newton, sipas tij nuk kishte arritur ta kuptonte forcën shtytëse të këtyre valëve, ndërsa teoritë e Einsteinit i cilësoi “çorientuese”.

Ndër pretendimet e tjera që nxitën reagimin e shumë akademikëve vendas, ishte edhe shpikja e kërkimit të qelizave staminale nga hindutë e lashtë.

Këto nuk janë pohimet e vetme që kanë nxitur thirrjet për të mos i ngatërruar mitet me shkencën.

Në vitin 2017, ministri i Arsimit në shtetin perëndimor të Raxhastanit deklaronte se, është e rëndësishme të kuptohet domethënia shkencore e lopës, si e vetmja kafshë në botë që thith dhe nxjerr oksigjen.

Në vitin 2014, kryeministri Narendra Modi u tha pjesëtarëve të personelit mjekësor të një spitali në Mumbai se historia e hyut indian, Ganesha, me kokë elefanti dhe trup njeriu, tregonte se kirurgjia kozmetike ka ekzistuar në Indinë e lashtë; apo ligjvënësi Ramesh Pokhriyal Nishank, që pati thënë po atë vit se India ka kryer teste bërthamore që përpara 100 mijë vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA