Dy anarkistë grekë janë arrestuar të hënën, pasi lyen me bojë të kuqe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Athinë.
Tetë pjesëtarë të tjerë të organizatës anarkiste “Rubicon” u ndaluan po ashtu, por më pas u lanë të lirë, në lidhje me incidentin, që sipas policisë ka shkaktuar dëme minimale materiale.
Ministria e Jashtme greke e dënoi sulmin, duke thënë se ai cënon marrëdhëniet e hershme miqësore mes dy vendeve dhe lidhjet strategjike mes Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara, që janë jetësore për vendin dhe rajonin.
Grupi “Rubicon” i konsideron ndërhyrjet e Uashingtonit në një numër rajonesh, përfshirë edhe Ballkanin, si imperializëm. Anëtarët e tij ishin mbledhur para Ambasadës në orët e para të ditës dhe kishin lyer me bojë hyrjen, para se policia të ndërhynte.
“Rubicon” ka kryer një numër aktesh të ngjashme mbi ambasada, banka dhe godina publike vitet e fundit, duke shkaktuar dëme materiale, por jo lëndime.
Tetorin e shkuar, grupi leu me bojë fasadën e Ambasadës së Kanadasë, në shenjë proteste ndaj pranisë së një kompanie minerare kanadeze që kërkonte ar, në Greqinë veriore.
Më herët, “Rubicon” kishte vënë në shënjestër Ambasadën e Iranit, në shenjë solidariteti me kurdët e Iranit. Mediet greke raportojnë se grupi planifikon t’iu bashkohet, më 17 janar, një numri organizatash të tjera anarkiste në një tubim në Romë.
Top Channel