Viti 2019 nuk mund të niste më keq për Realin e Madridit. Pas barazimit 2-2 në fushën e Villarealit pak ditë më parë në sfidën e prapambetur, “Los Blancos” regjistruan një tjetër rezultat edhe më negative, duke u mposhtur 0-2 në “Santiago Bernabeu” nga Real Sociedadi, në një përballje të nisur shumë keq, pasi që në minutën e dytë Casemiro shkaktoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga William Jose.
Kampionët në fuqi të Europës u munduan të reagonin dhe i patën shanset për të barazuar, por në fillim Karim Benzema (10’) dhe më pas Luka Modric (23’) nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë. Casemiro mund të shlyente gabimin që bëri me shkaktimin e 11-metërshit në minutën e 38-të, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi tra.
Edhe në fillim të fraksionit të dytë Reali iu afrua shumë golit me Varane (49’) dhe Vinicius (51’), por formacioni bask kishte fatin me vete, duke shpëtuar mrekullisht nga ndëshkimi.
Për Realin situata u komplikua edhe më shumë ndëshkimin e Lucas Vasquez me kartonin e dytë të verdhë, çka i dha mundësi Sociedadit jo vetëm të ruante epërsinë, por edhe të realizonte golin e sigurisë me Ruben Pardo në minutën e 83-të.
Me këtë disfatë të rëndë Reali i Solarit i largohet edhe më shumë objektivit titull, madje skuadra “merengues” nuk arrin të rrëmbejë vendin e katërt as Alavesit, që në 18 javë ka grumbulluar një pikë më shumë, 31.
Top Channel