Disa mijëra njerëz kanë marshuar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytetin serb, në fundjavën e pestë radhazi kundër të ashtuquajturit regjim të presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilin e akuzojnë për autoritarizëm.
Protestuesit përfaqësojnë sfidën më të madhe në epokën e drejtimit të Vuçiçit deri më tani, e fillimisht u thirrën nga partitë opozitare pasi një prej udhëheqësve të tyre u dhunua përpara një mitingu politik në Serbinë qendrore, gjatë muajit nëntor.
“Aleanca për Serbinë” (SZS) në opozitë, një koalicion partish nga i gjithë spektri politik, pretendoi se dhunuesit ishin mbështetës të Partisë Progresiste Serbe (SNS) të presidentit Vuçiç, por autoritetet e mohojnë këtë akuzë.
“Serbia po ngrihet ngadalë, të gjithë qytetet po ngrihen dhe…numri ynë do të rritet edhe më shumë”, citohet të ketë thënë Branislav Trifunoviç, aktor dhe një prej udhëheqësve të kësaj lëvizjeje, përpara turmës së mbledhur në Beograd ditën e shtunë.
Disa qindra njerëz protestuan gjithashtu në qytetin jugor të Kragujevacit, ndërsa rreth 50 vetë dolën në protestë në Novi Sadin verior.
Që prej 8 dhjetorit, ku u mbajt protesta e parë, grumbullimeve të njerëzve të nxitur nga partitë opozitare u janë bashkuar studentë dhe figura publike, veçanërisht artistët.
Demonstruesit u mblodhën përpara Fakultetit të Filozofisë dhe marshuan përmes rrugëve kryesore të Beogradit, me një pankartë të madhe ku lexohej “Një në 5 milionë”. Kjo është një referencë ndaj një deklarate të mëhershme të Vuçiçit, sipas së cilës ai nuk do të përmbushte kërkesat e opozitës për media të lirë dhe zgjedhje të ndershme “edhe nëse do të dilnin 5 milionë njerëz në rrugë”.
Vuçiç, një nacionalist i linjës së ashpër i kthyer në proeuropian, akuzohet nga opozita dhe shoqëria civile se ka vendosur një regjim autokratik dhe ka kontroll të plotë mbi median, duke e përdorur atë në fushata kundër kundërshtarëve politikë.
Duke folur përpara protestave, Vuçiç është shprehur se është “i gatshëm të dëgjojë qytetarët që protestojnë, por jo gënjeshtarët e opozitës”. Vuçiç u zgjodh president në vitin 2017, e më parë ka mbajtur edhe postin e kryeministrit.
Top Channel