Kukësi ndodhet në Antalia të Turqisë, ku ka nisur punën përgatitore për dy fazat e mbetura të Kategorisë Superiore. Me verilindorët është grumbulluar edhe Eduart Rroca, i transferuar nga Luftëtari, i cili ka dhënë edhe intervistën e tij të parë me skuadrën verilindore.
“Jam i lumtur që jam pjesë e Kukësit, ndaj dua të falënderoj presidentin Gjici, por edhe stafin për besimin që më kanë dhënë. Besoj që e kemi nisur mirë këtë fazë përgatitore, pasi grupi është i plotë dhe shpresoj që të na shkojë mbarë. Kam përgjegjësi jo vetëm unë, por e gjithë skuadra, pasi duam që të fitojmë titullin kampion. Presioni është i madh ndaj meje, pasi dua të shpërblej besimin e drejtuesve të klubit. Duke qenë se Kukësi është një skuadër që luan gjithmonë për titullin dhe për Europën, jam i gatshëm të rri gjatë këtu, por synimi parësor është të luaj jashtë Shqipërisë”, tha Eduart Rroca.
Edhe Partizani ka shkuar në Antalia për të zhvilluar fazën përgatitore. Skuadrës së drejtuar nga Skënder Gega i janë bashkuar edhe dy blerjet më të fundit, Alesio Hyseni dhe Fatjon Jusufi.
Partizani do të qëndrojë në Antalia për 10 ditë të kësaj faze përgatitore, ndërkohë që do të zhvillojë edhe 3 ndeshje miqësore. E para është ajo me Sivasporin, më 9 janar.
Korçarët e Skënderbeut, nga ana e tyre kanë preferuar të mos udhëtojnë jashtë Shqipërisë, për të bërë përgatitjet për dy fazat e tjera të kampionatit. Skuadra korçare është grumbulluar prej ditësh në Durrës, e në programin e saj është zhvillimi i 3 ndeshjeve miqësore; ndaj Tiranës, Bylisit dhe Teutës.
Top Channel