Fiks Fare/ Infermierja nuk shkon në punë, pas investigimit të Fiksit pezullohet nga detyra

04/01/2019 20:34

Nurie Nerguti u pezullua nga puna si infermiere në fshatin Gjegjan Kukës, pasi nuk paraqitej në punë. Rasti u zbuluar nga Fiks Fare pas denoncimit të banorëve të fshatit të cilët për një injeksion të thjeshtë detyroheshin të shkonin në Kukës.

Fiks Fare udhëtoi drejt fshatit Gjegjan të Kukësit dhe nuk e gjeti infermieren Nerguti në vendin e punës. Zyra e saj e punës ishte brenda ambienteve të shkollës 9 vjeçare të fshatit. Gjatë pushimit të gjatë, nxënësit e shkollës i treguan gazetares së Fiksit zyrën e infermieres, e cila ishte e mbyllur, por ata pohuan se ajo nuk vinte në punë. Hera e fundit që infermierja Nurie Nerguti ishte parë në vendin e punës, ishte para 2 javësh.

Gazetarja e Fiksit fillimisht e telefonoi infermieren para derës së punës dhe i kërkoi ta takonte. Nëse ajo do ishte në shërbim në fshat, Fiksi i kërkoi të tregonte vendin ku infermierja ishte që të shkonin ta takonin. Fillimisht ajo u shpreh se ishte rrugës për në punë, por vetëm pas insistimit të gazetarëve të Fiksit infermierja Nerguti tregoi se gazetarët mund t’i takonte në Kukës dhe pse ishte në orar të punës.

Gazetarja e Fiksit vizitoi disa banorë të fshatit dhe pyeti nëse kishin marrë shërbim nga infermierja. Banorët u shprehën se detyroheshin të shkonin në Kukës për injeksione, ndërsa një tjetër u shpreh se janë vetë fëmijët që e shohin që ajo nuk vjen fare në punë.

Fiksi iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Kukës për të pyetur për rastin e infermieres Nurie Nerguti. Drejtoresha e burimeve njerëzore tha se nga inspektimet që ky institucion kishte bërë nuk është konstatuar mungesë e infermieres në vendin e punës, megjithatë sipas saj, kompetencat për ta kontrolluar çdo ditë i ka drejtori i qendrës shëndetësore.

Fiksi telefonoi drejtorin e qendrës shëndetësore, por ai thotë se nuk i përgjigjet në telefon infermierja. “Sipas kontratës, infermieres i hiqet dita e punës nga mungesa” u shpreh drejtori.

Kur gazetarja i tregon shqetësimin e banorëve se infermierja nuk paraqitet në punë, drejtori hesht. Por disa orë më vonë ai rilidhet në telefon me gazetaren e Fiksit duke i komunikuar se pranë redaksisë së Fiksit ai ka dërguar një shkresë. Në të thuhet se pas Investigimit të Fiks Fare infermierja Nurije Nerguti është pushuar nga puna.

Por përveç kësaj Drejtoria Rajonale e Shëndetit Kukës ka marrë masë edhe ndaj drejtorit të qendrës shëndetësore, “Tërheqje vëmendje”.

Top Channel