Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare ishte në fokusin e emisionit të “Sky Sport” për arritjet e tij tashmë në nivel drejtuesi në Serie A.
Njeriu që u votua nga tifozët dhe gazetarët si “drejtori më i mirë sportiv” i sezonit të kaluar, e madje e fitoi këtë çmim me një votë plebishitare, u rrëfye për platformën televizive mbi karrierën dhe jetën e tij.
“Lashë Shqipërinë për të kurorëzuar ëndrrën time, që të bëhesha futbollist. Këtë e bëra në këmbë, por nuk turpërohem që e pohoj këtë. Pas gjithë kësaj aventure ishte ëndrra ime dhe jam krenar për atë që ndërmora. Në Gjermani punoja paradite si kopshtar dhe pasdite si futbollist”, tha Igli Tare.
Igli Tare rrëfeu gjithashtu se nuk e kishte besuar, kur presidenti i Lacios i kishte propozuar një rol drejtuesi.
“Kisha një akord me Lottiton për të rinovuar edhe për dy vite, por kur më kërkoi të nis këtë aventurë mendova se ishte i çmendur. Kam menduar edhe largimin, sidomos pas kërcënimeve me vdekje. Në disa momente kisha frikë për fëmijët, në periudhën kur Lacio shiti Hernanesin. Një pjesë e imja vdiq aty, për sa i përket mënyrës si jetohet futbolli. Me ato kërcënime prek vërtet pjesën më të keqe të këtij sporti”, tha Tare.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë pranoi se kishte shumë oferta të majme për t’u larguar nga Lacio, por në fund vendosi me zemër, një zgjedhje që i ka dhënë të drejtë.
Top Channel