Allez Waltzer, le të vallëzojmë të gjithë në tingujt e valsit të mrekullueshëm austriak, për të përmbyllur kështu edhe një vit të gjatë bashkëpunimesh, ndërmjet kulturave të dy vendeve, të Austrisë dhe Shqipërisë.
Vjen kështu kjo mbrëmje gala nga Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, për të përmbyllur edhe këtë kalendar të këtij viti artistik, duke ndërthurur modernen me traditën. Përshëndetja e parë e përzgjedhur ishte nga opera Kalorësi Pasmann e Strauss-it.
“Është bërë tashme traditë që teatri ynë çdo fund-dhjetor të organizojë galanë më të madhe si një simbolikë e gëzueshme urimi në fund të vitit, për t’i uruar të gjithë publikut tonë, spektatorëve në sallë, teleshikuesve në transmetim. Të gjithë ju që na ndoqët përgjatë 2018-ës dhe bëtë të mundur që të gjithë së bashku të realizonim sfidën më të madhe, zgjerimin e audiencave operistike anemanë vendit”, u shpreh drejtoresha e TKOB, Zana Çela.
Me kompozitorë si Strauss, Lehar, Mahler, etj., kjo Grand Gala solli zëra si Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armaldo Kllogjëri, Ramona Tullumani, Dorina Selimaj etj., por edhe solistët dhe trupën e baletit të TKOB, me koreografinë e austro-italianit Renato Zanella.
Si simbol i gëzimit, i alegrisë, por edhe energjisë dhe ritmit të madh kjo natë mori drejtim nga dirigjent maestro Claudio Buchler, duke bërë që muzika austriake të interpretohej nga artistët shqiptarë.
Top Channel