Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja, deklaroi se dialogu me Serbinë “është përfolur shumë në 6 muajt e fundit dhe kjo temë në fillim ishte si ujku në oborrin e shtëpisë, por ai ujk u kthye në qengj tashmë dhe është pjesë e debateve kudo në Kosovë”.
“Është mirë që Kosova ka formuar grupin dialogues, Presidentit iu ka shtuar edhe ekipi shtetëror për dialog, ku marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare të koalicionit dhe një parti që vjen nga radhët e opozitës. Ky grup është i kompletuar, por ka edhe vend për dy partitë e mëdha të opozitës”, u shpreh Pacolli.
Në lidhje me mungesën në grupin dialogues të partive të mëdha opozitare, Behgjet Pacolli tha: “Unë pres që LDK-ja të marrë pjesë pasi gjithmonë ka qenë aty në proceset e rëndësishme të Kosovës, por kjo parti deri tani ka preferuar të mbetet jashtë dialogut. Por, nuk besoj se do të qëndrojë jashtë tij, pasi është partia më e madhe në Kosovë dhe mentaliteti i saj është që të jetë prezente në procese të rëndësishme”.
Top Channel