Opozita në Kosovë ka kundërshtuar ekipin negociator të miratuar pa votën e LDK-së dhe VV-së në Kuvend, ndërkohë që të mërkurën pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar draftin e qeverisë që parashikon kornizat e dialogut me Serbinë.
Qeveria e Kosovës procedoi në Parlament pr.ligjin që përcakton përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, që do të synojë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme mes Prishtinës dhe Beogradit.
Edhe pse miratimi i rezolutës për “ekipin e unitetit” 10 ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u përshëndet nga BE-ja dhe ndërkombëtarë të tjerë, brenda politikës kosovare, opozita nuk pajtohet që delegacioni shtetëror me bashkëdrejtues Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin të udhëheqë Kosovën në bisedimet me Serbinë.
LDK-ja dhe Vetëvendosja i kanë dërguar madje një letër shefes së BE-së për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, prej së cilës kërkojnë që blloku të mos e njohë ekipin shtetëror të Kosovës, pasi – siç shprehen këto dy parti, – “ky ekip nuk ka mbështetjen e shumicës së opozitës në Kosovë”.
“Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë ‘Me vendosjen e ekipit të unitetit, me një mbështetje të gjerë nga partitë në qeveri dhe në opozitë’. Ju lutemi të keni parasysh se ne, opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, nuk kemi votuar për këtë ekip uniteti të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka mbështetje të gjerë për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj”, shkruhet në letrën e opozitës, të nënshkruar nga shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe VV-së, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca.
Megjithatë, opozita thekson në letër se LDK dhe VV janë për dialog, sepse vetëm në këtë mënyrë zgjidhen problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thirrje për unitet ndaj partive politike kosovare dhe për t’u bashkuar nën një zë, ka bërë sërish Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.
“Jemi të inkurajuar të shohim angazhim më të gjerë politik lidhur me dialogun me Serbinë dhe shpresojmë se, edhe partitë e tjera opozitare do të vendosin të marrin pjesë”.
“Siç thotë presidenti Trump në letrën e tij, ‘Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment unik dhe të flasë me një zë të unifikuar’”, citohet deklarata e Ambasadës amerikane në Prishtinë nga mediet lokale, ku thuhet më tej se “tashmë nuk është koha për të qëndruar mënjanë, e as për të krijuar pengesa ndaj zgjidhjes gjithëpërfshirëse”.
Top Channel