Borusia e Dortmundit forcoi pozitat në krye të renditjes së Bundesligës pasi mundi rivalin direkt Gladbahun në “Siglan Iduna Park”. Një fitore 2-1 për verdhezinjtë, që krijojnë më tepër shkëputje nga ndjekësit më të afërt në përfundim të një 90-minutëshi që dhuroi 3 gola, por dhe shumë raste të tjera për shënim.
Në fillimin e takimit Borussia u duk sikur po vuante sindromën e rasteve të humbura, deri në çastin kur Sancho, i shërbyer nga Goetze, arriti t’i jepte epërsinë formacionit të Favre, që përballej pikërisht me ish-skuadrën e tij.
Gjithsesi gëzimi i vendësve nuk zgjati shumë, pasi pak para pushimit Kramer riktheu barazpeshën mes dy kryesueseve të Bundesligës. Një barazpeshë që u prish në minutën e 54-t, kur Reus i dha fitoren Dortmundit, duke shtyrë për në rrjetë me rrëshqitje një tjetër asist të Goetzes.
Një fitore 2-1 për Dortmundin, që mbyll fazën e parë me një fitore duke zgjatur për më tepër në 9 pikë diferencën me Gladbach në klasifikim.
Top Channel