Duke qenë se Karta e Studentit ishte ajo që solli më shumë paqartësi këtë të mërkurë, gazetari Denis Dyrnjaja u ndal pikërisht te fakti nëse është miratuar, apo ende jo, Karta e Studentit, teksa merrte në intervistë të ftuarën e radhës në emisionin e tij “Top Talk”, zv.kryeministren Senida Mesi.

“E kemi në proces dhe nuk arritëm dot ta kalonim me një vendim të Këshillit të Ministrave, pasi duam që kartën e studentëve ta njehsojmë me kartën europiane të studentëve. Kjo do të thotë se, automatikisht në lëshimin e kartës së studentit do të sigurohet njohja dhe do të rritet mobiliteti në programet Erasmus, të Bashkimit Europian”, tha zv.kryeministrja Senida Mesi. Sipas saj, brenda javës, pa pritur edhe mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, mund të kalohet edhe me një vendim të brendshëm.

“Po shohim disa elementë teknikë në lidhje me përputhshmërinë me Bashkimin Europian, që kjo kartë studenti e aprovuar nga ne të jetë automatikisht e njohur edhe në vendet e BE-së”, konfirmoi Mesi.

Nga 8 pikat e bëra publike prej ditësh tashmë, sa janë të realizueshme në një afat të shkurtër dhe sa prej tyre në një afat të dytë?

“Karta (europiane) e Studentit bëhet brenda këtij viti, pjesa e bibliotekave dhe qasjes në to online bëhet në fillim të janarit të vitit 2019. Rishikimi i titujve të profesorëve do një mekanizëm. Ne e kemi gati një draft sesi do të bëhet rishikimi i titujve, përfshi diplomat e doktoraturës së pedagogëve, por edhe një element të rëndësishëm që kanë kërkuar disa prej studentëve në universitete të tjera, për rishikimin e notës mesatare për temat e diplomës. Përmes një sistemi online të menaxhuar nga Ministria e Arsimit, çdo temë diplome nga studentët dhe çdo temë doktorature të kalojë në këtë sistem online për verifikim ndaj plagjiaturës. Transparenca për buxhetin është e menjëhershme, aktualisht Ministria e Financave ka në faqen e saj të internetit çdo shpenzim që bëhet drejtpërdrejt nga Thesari. Thjesht duhen marrë ekstraktet e atij informacioni, për secilin universitet, për t’u shfaqur në faqet e internetit të secilit universitet, i qasshëm për të gjithë por vetëm për universitetin respektiv. Sa i përket vendimmarrjes në këshillat e administrimit, kjo kërkon rishikimin e bazës ligjore dhe përcaktimin e akteve normative, për një periudhë le të themi brenda pranverës së 2019-s. Le ta themi ndryshe, me përjashtim të pikës së parë, rritja e buxhetit për arsimin në 5% të GDP-së, të gjitha të tjerat janë të realizueshme, kurse kjo e pamundur në një afat kohor kaq të shkurtër”, tha Senida Mesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA